Paralajmërime për “një tjetër Çernobil” në Ukrainë

Paralajmërime për “një tjetër Çernobil” në Ukrainë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi për një fatkeqësi bërthamore në Ukrainë, pas takimit të parë sy më sy me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit.

Të enjten, Erdogan dhe shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u takuan për bisedime me Zelenskyn në Lviv, në perëndim të Ukrainës.

Pas luftimeve në afërsi të centralit më të madh bërthamor në Evropë, Zaporizhja, që kontrollohet nga rusët, janë rritur shqetësimet në mesin e liderëve botërorë, teksa shefi i OKB-së, Antonio Guterres ka paralajmëruar gjatë takimit me Erdoganin se çdo dëmtim në këtë central ukrainas, do të përbënte “vetëvrasje”.

“Ne jemi të shqetësuar. Nuk duam një Çernobil tjetër”, tha Erdogan gjatë konferencës për media pas takimeve në Lviv.

Ai siguroi Zelenskyn se Turqia është aleate e Ukrainës.

“Përderisa ne vazhdojmë përpjekjet tona për gjetjen e një zgjidhjeje, ne jemi në anën e miqve tanë në Ukrainë”, tha Erdogan.

Guterres, në anën tjetër, tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” lidhur me situatën në centralin e Zaporizhjas. Ai tha se kjo uzinë bërthamore duhet të çmilitarizohet, duke shtuar se “ne duhet ta themi siç është: çdo dëm i mundshëm në Zaporizhja është vetëvrasje”.

Erdogan, që ka një rivalitet të madh gjeopolitik me Kremlinin, por mban lidhje të ngushta pune me presidentin Vladimir Putin, u takua me liderin rus para dy javësh në Soçi të Detit të Zi.

Erdogan dhe Guterres ishin ndërmjetësuesit kyçë të marrëveshjes së arritur muajin e kaluar në Stamboll, që mundësoi rikthimin e eksporteve të drithërave nga Ukraina, pasi portet ukrainase përmes së cilave transportohen drithërat, u bllokuan pas nisjes së pushtimit rus./evropaelire.org/

LEXO EDHE:

Back to top button