Parkingu në “Nënë Tereza”/ Taravari pasi tregoi se kompania nga Shqipëria nuk do t’i ndërtojë garazhet: Pashë një reagim anormal
Parkingu në "Nënë Tereza"/ Taravari pasi tregoi se kompania nga Shqipëria nuk do t'i ndërtojë garazhet: Pashë një reagim anormal

Gazetare: Linda Ebibi
“Gjoka Construction” nga Shqipëria nuk do t’i ndërtojë garazhet dhe nuk do të menaxhojë me parkingun në Klinikën “Nënë Tereza”. Kjo për shkak të reagimeve të shumta në opinion. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se tani po shqyrtojnë dy opsione të tjera për ndërtimin e garazheve në kate
“Pashë një reagim anormal që paraqitet tek njerëzit për garazhet në kate në Qendrën Klinike dhe sot e thirra drejtorin e parkingjeve të qytetit për t’i ofruar atij, që të menaxhoj parkingun në Qendrën Klinike dhe për të ndërtuar garazhe në kate…Opsioni i dytë që e mendojmë për parkingjet është edhe shërbimet e përgjithshme në Qendrën Klinike, eventualisht ta menaxhojnë parkingun, por për 2-3 vite edhe të ndërtojnë garazhe në kate”, tha Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.
Nga LSDM thonë se me fshehjen e dokumenteve nga ana e Taravarit, janë vërtetuar dyshimet e tyre. Për këtë kërkojnë hetim nga Antikorrupsioni dhe Prokuroria Publike.
“Tani më që u kapën në flagrancë dhe skandali shpërtheu në publik, qeveria njofton se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen. Nuk është e mjaftueshme të mos nënshkruhet marrëveshja, duhet të ketë hetim për korrupsion dhe duhet të ketë përgjegjësi. Duhet të veprojë Antikorrupsioni dhe Prokuroria Publike”, u shpreh Martin Kostovski, LSDM.
Në shpalljen e 15 nëntorit ishte paraqitur vetëm kompanie “Gjoka Construction” nga Shqipëria. Nëse kompania nga Shqipëria do ta merrte tenderin, qytetarët do të duhej të paguanin 50 denarë për një orë parkim, në vend të 30 denarëve siç është aktualisht. Momentalisht, në Qendrën Klinike të Shkupit ka 800 vende për parking, ndërsa nevojiten minimumi edhe 800 vend parkime tjera. / Alsat.mk