Parlamenti i Izraelit e miraton marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe

Parlamenti i Izraelit votoi në favor të normalizimit të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe. Votimit i parapriu një debat maratonë, me mbi 100 fjalime që zgjatën më shumë se tetë orë.

Një total prej 80 ligjvënësish votuan pro marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa 13 ishin kundër.

“Kjo marrëveshje historike, do të na afrojë me vendet e tjera në rajon për të nënshkruar marrëveshje të tjera paqësore”, tha kryeministri, Benjamin Netanyahu.

Netanyahu tha se Izraeli së fundmi, për herë të parë, ka vendosur kontakte me një vend tjetër në rajon, por nuk e zbuloi emrin e tij.

Emiratet e Bashkuara Arabe në gusht u bënë shteti i tretë arab që vendosi marrëdhënie me Izraelin, pas Egjiptit më 1979 dhe Jordanisë më 1994.

Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, marrëveshje të njëjtë me Izraelin nënshkroi edhe Bahrejni.

Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja u zyrtarizuan në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator.

Marrëveshjet u kundërshtuan nga palestinezët si një “tradhti”.

Administrata amerikane po përpiqet të ndërmjetësojë marrëveshje të ngjashme me shtetet e tjera arabe, raporton AFP.

LEXO EDHE:

Back to top button