Partitë opozitare kërkojnë zgjedhje të parakohshme

Partitë opozitare kërkojnë zgjedhje të parakohshme

Gazetar:  Adrian Kerimi

Sulmet hibride për të cilat pretendon pushtetit se janë organizuar nga struktura të caktuar për të rrënuar strategjinë shtetërore në raport me kontestin bullgar, sipas opozitës maqedonase janë amulli e shpikur nga Qeveria për të mbuluar dëshmimin mbi datën për negociata me BE-në.

VMRO-DPMNE-ja kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare për të dalë nga turpi në të cilin Qeveria e ka futur shtetin dhe qytetarët.

“Për gjithë këtë debakël diplomatik për negociatat me BE-në patjetër të ketë përgjegjësi për Kovaçevskin, Osmanin dhe Mariçiqin. Përgjegjësi dhe dorëheqje për dëmin afatgjatë në procesin negociues. Për këtë arsye zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, deklaroi Marija Miteva, Zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Zgjedhje të parakohshme kërkon edhe opozita shqiptare. Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela ditë më parë deklaroi se zgjedhjet janë formula më e suksesshme për dalje nga kriza politike, ekonomike dhe energjetike.

Ndërkohë, kreu i lëvizjes Besa, Bilall Kasami thotë se parimi kryesor i kësaj shumice ishte data për negociata. Nëse nuk ka datë duhet të ketë zgjedhje.

“Neve kemi thënë se kjo Qeveri qëndron mbi bazën e ofertës që e ka bërë për integrim të vendit në BE ose hapjen e negociatave. Nëse kjo nuk ndodh edhe këtë muaj ne vlerësojmë se është një argument shtesë se duhet shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Pushteti është kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. LSDM-ja akuzon opozitën maqedonase se po rrezikon interesat shtetërore.

“Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja frikuan opinionin me tendencë se gjoja u shit gjuha maqedonase, identiteti maqedonas dhe historia. Gënjyen për asimilim dhe bullgarizim të shtetit. Ky është turp, papërgjegjësi dhe qasje kundërshtetërore e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së”, tha Darko Kaevski, Zëdhënës i LSDM-së.

BDI vlerëson se kjo shumicë parlamentare nuk ka alternativë e cila më mirë do të menaxhonte me procesin integrues dhe proceset e brendshme politike.

“Konsiderojmë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Nuk ka alternativë e cila mund të ofron zgjidhje për të gjitha çështjet, qoftë me Bullgarinë, Marrëveshjen e Prespës, marrëdhëniet ndëretnike, etj”, deklaroi Bujar Osmani, BDI.

Partitë e vogla brenda shumicës parlamentare kanosen me dalje nga Qeveria nëse kjo e fundit pranon si të tillë propozimin francez./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button