Pas Aerodromit edhe Çairi paralajmëron gjobë ndaj Higjienës Komunale
Pas Aerodromit edhe Çairi paralajmëron gjobë ndaj Higjienës Komunale

Gazetar: Avni Tahiri
Pas Komunës së Aerodromit edhe Çairi paralajmëron se do të shqiptojë gjobë ndaj Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup”. Sipas Komunës së Çairit ndërmarrja jo vetëm që nuk i grumbullon si duhet mbeturinat por për shkak të mungesës së higjienës dhe mundësisë së përhapjes së infeksioneve, rrezikon shëndetin e banorëve.
“Komuna e Çairit do të shqiptoje gjobë për kundërvajtje ndaj Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale – Shkup për çdo neglizhencë në mbajtjen e higjienës publike në territorin tonë, duke u angazhuar fuqishëm për ambient të pastër dhe të sigurt për qytetarët tonë”, njoftojnë nga Komuna e Çairit.
Një mundësi të tillë e shqyrton edhe Kisella Vodës. Sipas kryetarit të komunës Orce Gjorgjievski, inspektorët komunalë tashmë janë në terren dhe po konstatojnë gjendjen e krijuar me mbeturinat.
“Inspektorët komunalë janë në terren dhe po shqyrtojnë situatën me mbeturinat në vendet urbane dhe ato rurale, pasi të shqyrtohet gjendja e krijuar me mbeturinat, komuna Kisella Vodë do të shqyrtoje opsionin e shqiptimit të gjobës ndaj NP “Higjiena Komunale”, thonë nga Komuna Kisella Vodë.
Paralajmërimet e tilla vijnë një ditë pasi, Komuna e Aerodromit i caktoi gjobë prej 88 000 eurosh Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup” për shkak të mosfunksionimit, grumbullimit joadekuat të mbeturinave dhe moskujdesit të higjienës publike në territorin e saj. Ky sanksion, siç thuhet në komunikatë, nuk është politike por vjen si rezultat i mangësive të identifikuara në punën e kompanisë. Po ashtu, thuhet se banorët e komunës së Aerodromit çdo ditë i drejtohen Komunës me ankesa për kontejnerë të stërmbushur, papastërti në rrugët e të gjitha lagjeve, edhe pse siç thonë, banorët rregullisht i paguajnë faturat. /Alsat.mk