Pas arrestimeve të fundit BDI reagon duke akuzuar për hetim dhe agresion të njëanshëm ndaj shqiptarëve
Pas arrestimeve të fundit BDI reagon duke akuzuar për hetim dhe agresion të njëanshëm ndaj shqiptarëve

Pas zgjerimit të hetimeve për tragjedinë në Koçan ka reaguar BDI-ja. Sipas kësaj partie sot, populli shqiptar në vend është nën sulm nga institucionet e shtetit të tij, të cilat BDI thotë se janë plotësisht të kapura nga interesat politike dhe etnocentriste të Qeverisë.
“Për t’u mbrojtur, Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe Prokurori i shtetit e kanë drejtuar njëanshëm hetimin kundër shqiptarëve që kanë qenë pjesë e institucioneve të sistemit në çfarëdo forme dhe në çdo kohë. Deklarojmë qartë se sot kundër shqiptarëve është shpallur një agresion i njëanshëm dhe i padrejtë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për BDI-në, partitë shqiptare në pushtet, apo shqiptarët në përgjithësi. Kjo nuk është drejtësi, kjo është hakmarrje për përfshirjen e shqiptarëve në proceset institucionale. BDI do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e këtij sulmi dhe për të siguruar drejtësi për popullin shqiptar në vend”, thonë nga BDI.
Ndërkohë është kundërpërgjigjur VMRO-DPMNE-ja. Sipas kësaj partie, BDI-ja po i shmanget përgjegjësisë për siç thotë kriminalitet, duke u fshehur nën ombrellën etnike.
“Bashkimi Demokratik për Integrim, partia e cila për dy dekada qeverisje përmes reketit, korrupsionit dhe institucione të kushtëzuara, sot sërish tenton t’i shmanget përgjegjësisë me tentime të lira për manipulim etnik. Akuzat se institucionet e shtetit udhëheqin hetime të motivuara etnikisht janë jo vetëm të turpshme, por edhe të rrezikshme. Asnjë bashkësi etnike nuk është cak, por në shënjestër janë individë, të dyshuar për kriminalitet. Nuk bëhen hetime kundër shqiptarëve, por kundër zyrtarëve të BDI-së për të cilët ka indikacione serioze për veprime kriminale. BDI dëshiron të krijojë konflikt, aty ku ka drejtësi”, deklaruan nga VMRO-DPMNE,
Përplasja VMRO-BDI erdhi pas zgjerimit të hetimit për tragjedinë në Koçan, ku më 16 mars në zjarrin në diskotekën puls humbën jetën 61 persona ndërsa 200 të tjerë u lënduan.