Pas fundjavës ndryshim i madh i motit

Pas fundjavës ndryshim i madh i motit

Gazetare: Ajnur Bafqari

Sinoptikët paralajmërojnë ndryshime të mëdha të motit me diferencë prej më shumë se 20 gradë celsius brenda vetëm 48 orëve. Derisa gjatë fundjavës temperaturat arrijnë deri në 29 gradë celsius, të hënën paralajmërohet mot jo i qëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm, erë të fortë e bubullima, që në disa vende do të paraqitet edhe si stuhi afatshkurtër. Të martën temperaturat ulen në minimumi 2 gradë celsius, ndërsa nga dita e enjte ato në disa vende shkojnë madje deri në minus 9 gradë celsius.

“Në orët e mbrëmjes drejt së martës do të ketë ndryshim më të madh të motit, ndërsa prej të martës në vendet më të larta do të kemi reshje të borës, ndërsa në rrafshina reshje shiu. Do të ketë ulje të dukshme të temperaturave ditore, në raport me këto që i kemi pasur gjatë periudhës që po lëmë pas, të martën temperaturat do të sillen nga 2 në 10 gradë celsius…Të enjten temperaturat gjithandej do të jenë negative, në interval prej -9 deri në -1 gradë celsius. Temperaturat ditore do të jenë në rritje graduale, por jo sa i kishim në këtë periudhë”, deklaroi Juliana Fidanovska, sinoptike.

Mjekët thonë se gjendja e tillë e motit ku brenda ditës qytetarët përballen edhe me dimrin edhe me verën kanë ndikim të madh në shëndetin e pacientëve.

”Moti i tillë i mashtron shumicën e njerëzve që të dalin jashtë dhe me këtë të ekspozohen ndaj më shumë rreziqeve. Sa u përket infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, para se gjithash këtu janë ajri i papastër. Ndërsa tani me ardhjen e pranverës me shpejtësi paraqiten pasojat e alergjive ndaj të gjithë pacientëve pa dallim moshës. Tashmë fillojmë me të madhe t’i presim pacientët që kanë ndonjë alergji”, tha Lupço Stefanovski, mjek amë.

Mjekët bëjnë thirrje për kujdes, sidomos ata që kanë sëmundje kronike të marrin terapinë, të dalin më pak jashtë në natyrë, ta ndjekin çështjen e ndotjes së ajrit dhe të mos dalin kur niveli i grimcave ndotëse është i lartë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button