Pas mungesës së fondeve për Rusinon, problem shtesë paraqesin lëshimet në projekt

Edhe pse ishte e paraparë të fillojë me punë në janar të këtij viti, Ndërmarrja publike e përbashkët që do menaxhojë me Rusinon, ende nuk e ka bërë hapin e parë në drejtim të formimit të saj. Drejtuesit e ndërmarrjes akuzojnë komunat se nuk kanë lëshuar ende asnjë dënarë. Ndërkohë pengesë është bërë edhe lëshimi i gjetur në projektin bazë të punimeve. Një gjë e tillë do të vonojë edhe më shumë fillimin e punimeve për Rusinon.

Tani si vonesë e dytë na paraqitet projekti themelor i gabuar i cili nuk është faji jonë sepse për këtë projekt firma është angazhuar nga Rajoni Planor i Pollogut që janë bashkë me SECO-n nënshkrues. Këtu nuk duhet harruar edhe komunat që ende nuk kanë arritur të bëjnë pagesën madje të aseteve themelore të ndërmarrjes së përbashkët rajonale – deklaroi Besim Dogani, drejtor i N.P. të përbashkët Rusino.

Nga ana tjetër, Ministri i Ekologjisë Naser Nuredini thotë se problemi i mos pagesës deri më tani i obligimeve të komunave, më tepër është përplasje politike se sa mungesë fondesh.

Ne këtu bisedojmë për gjithë rajonin e Pollogut, ju lutem t`i harrojmë ngjyrimet politike që të punojmë për të gjithë. Absolutisht që duhet të mbajnë përgjegjësi sepse çdo zyrtar që merr përgjegjësinë duhet ta ushtrojë detyrën. E dini se Ligji është që nga viti 1992 që higjiena është përgjegjësi e komunave dhe përse deri më tani nuk e kanë bërë këta do i pyesni ata – tha Naser Nuredini. Ministër i Ekologjisë.

Mosfunksionimi i Rusinos ka bërë që mbeturinat e disa komunave shpesh të përfundojnë nëpër fusha.

“Hedhja e mbeturinave këtu në Rusino është ndaluar për një pjesë të madhe të komunave të Pollogut, pas kësaj ndalese për hedhje të mbetjeve një pjesë e komunave gjysmën e mbetjeve i dërgojnë në Drislla ndërsa një pjesë bukur e madhe e tyre, përfundon nëpër fushat e Pollogut”.

Rregullimi i deponisë Rusino në Gostivar filloi me donacion nga Sekretariati Zviceran SECO, me ç’rast u ndanë mbi 7 milion franga për rehabilitimin e kësaj deponie për pesë vitet e ardhshme.

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button