Pas një mungese tre vjeçare, Parma rikthehet në Seria A

Skuadra italiane ”Parma” u rikthye në Serie A, pas një mungese tre vjeçare, falë një sezoni pozitiv dhe një barazimi të mbrëmjes së mërkurë që konfirmoi rikthimin e tyre në kampionatin elitar.

Parma, gjigandi i njohur me epokën e lavdishme të së cilës u rritëm të gjithë, kaloi tre vjet në kategorinë e dytë të futbollit italian dhe tani ata janë rikthyer në elitë dy raunde para fundit të sezonit në Serie B. Skuadra e drejtuar nga Fabio Pekia fitoi një pikë në udhëtim te Bari (1-1) dhe kjo mjaftoi për të siguruar ngjitjen direkte, pavarësisht nëse do të përfundoi i pari apo i dyti në tabelën, e cila është ende e hapur.

Parma përfitoi nga pengesa e Venezias, e cila u mposht nga Katanzaro dhe falë një pike u rikthye në Serie A. Golin e vetëm për Parmën në këtë ndeshje, që vlen të vendoset në rangun elitar, e shënoi Ange-Joan Boni në minutën e 51-të për 0-1, por në fund, Bari arriti të barazojë rezultatin.

Aktualisht në vendin e dytë në Serie B është Komo, një klub i vogël nga liqeni me të njëjtin emër, por me një histori të madhe pas tij dhe një projekt të drejtuar nga legjenda të futbollit si Cesk Fabregas, Tieri Anri dhe Denis Uajs.

Në fund të shekullit të kaluar, Parma regjistroi ditët më të lavdishme në historinë e saj duke fituar trofe në Evropë dhe është klubi i katërt më i suksesshëm italian në garat ndërkombëtare (pas Milanit, Interit dhe Juventusit) me tre trofe.

Përveç brezave ikonë të futbollistëve italianë, Parma është e njohur për fitimin e dy trofeve të Kupës UEFA dhe një në Kupën e Fituesve të Kupave.

LEXO EDHE:

Back to top button