Pas një viti Kuvendi i kthehet normalitetit
Kuvendi u kthye në normalitet. Seanca e sotme u mbajt në sallën plenare. Deputetët ishin të emocionuar.
Deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski i pengonte mikrofoni. Të tjerët gjetën kohë për fotografi. Me të paraqitur në sallë, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi u befasua nga atmosfera. Gjatë votimit, gjeti kohë t’i shpjegonte deputetëve ngjyrat e butonave për votim.
“Sustat gjelbër, kuq dhe verdhë. Gjelbër-për, kuq-kundër, verdhë-përmbajtur. Pikat e votimit mund t’i kontrolloni në ekranin para jush”.
Në kushtet normale, shumica parlamentare premton se do të jetë edhe më produktive.
“Shpresoj që kjo do të sjell një energji plotësuese pas gjithë atyre rrethanave të jashtëzakonshme dhe kushteve në sallën e madhe dhe seancave plenare”.
“Një veprim shpresëdhënës se si shoqëri, vend dhe institucione po i kthehemi normalitetit dhe punës së zakonshme. Uroj se do të kemi sukses dhe vendime që pa dyshim janë në të mirën e qytetarëve”.
Opozita vlerëson se me kthimin në normalitet, shmanget mundësia për keqpërdorimin e paraqitjeve për fjalë dhe procesin e votimit.
“Mundësitë për manipulim të deputetëve janë të vogla. Ne kemi pasur reagime të shumta ndaj kreut të Kuvendit lidhur me paraqitjet për fjalë, lidhur më mënyrën e votimit, manipulimet në opinion se kush si ka votuar. Të gjitha këto tendenca për mashtrim do të marrin fund”.
“Besoj se do të normalizohet gjendja edhe pjesën e Rregullores dhe keqpërdorimin e procedurës së shkurtër dhe yllit të BE-së në sjelljen e ligjeve”.
Punonjësit mediak të cilët duan ta ndjekin punën e Kuvendit nga galeria e sallës plenare duhet të tregojnë certifikatën e vaksinimit. Në galeri është kufizuar numri i personave që mund të jenë të pranishëm. Përbërja aktuale parlamentare futet në sallë plenare për herë të parë, për shkak të masave anti-Kovid. Deri tani seancat zhvilloheshin në sallën e madhe, ndërsa mediat nuk kishin mundësi të ndiqnin punën e Kuvendit nga afër.
Adrian Kerimi








