Pas raportimit të Alsat, zgjidhet problemi me mungesën e insulinës

Pas raportimit të Alsat, zgjidhet problemi me mungesën e insulinës

Gazetar: Adnan Qaili

Disa ditë pas raportimit në Alsat për mungesën e insulinës, zgjidhet problemi administrativ. Nga Lidhja e shoqatave të diabetikëve thonë se janë informuar se janë tejkaluar të gjitha pengesat dhe janë proceduar njësitë e insulinës nëpër gjitha qytetet. Kjo ka shtuar turmat e pacientëve nëpër qendrat, për të marr ilaçin.

“Që sot, insulinën e kemi në të gjitha barnatoret e qendrave spitalore dhe ambulantore, janë tejkaluar të gjitha pengesat dhe nga sot ka nisur shpërndarja nëpër gjithë vendin. Ndonëse bëhej fjalë për një lloj që sasi të vogla mungonin, tani gjithë ata pacientë që e përdorin insulinën e kanë marrë”, tha Dime Velev, Kryetar i Lidhjes së shoqatave të diabetikëve.

Në kohën kur 12% e popullsisë në vend është e prekur me sëmundjen e diabetit, prej javësh mungojnë terapitë e insulinës. Nga Lidhja e Shoqatave të diabetikëve thonë se në disa spitale, shtëpi të shëndetit dhe ambulanca, pacientëve me sëmundjen e sheqerit nuk iu ofrohen disa lloje te terapive ampulare. Edhe pse mbulohen nga Fondi Shëndetësor, pacientët mbahen në pritje me pikat e fundit të insulinës.

“Aktualisht jemi në proces të plotësimit të tenderit vjetër, që të mos mungoj insulina. Deri në fund të vitit duhet bëhet shpallja e re publike për dy vitet e ardhshme për furnizim me insulinë dhe pajisje tjera”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Por pacientët që vuajnë nga diabeti, detyrohen të blejnë privatisht terapi të shtrenjta tabletare, nga që të njëjtat nuk janë në listën pozitive.

“Kërkojmë që Ministria e Shëndetësisë të hap listën pozitive, përkatësisht të bëj ndryshime në terapitë tabletare, duke përfshirë terapitë e reja që janë të pranishme në barnatoret e vendit për ti blerë privat. Unë ilaçin që e blej më kushton 700 denarë, po të ishte i mbuluar nga fondi do të më kushtonte 70 den”, theksoi Dime Velev, Kryetar i Lidhjes së shoqatave të diabetikëve.

Sipas të dhënave zyrtare 135,000 qytetarë janë të prekur nga diabeti, 600 prej tyre nën moshën 18 vjet. Në periudhën post kovid janë diagnostikuar edhe 8 mijë pacientë me sëmundjen e sheqerit, kjo shifër ka rritur dukshëm nevojën për përdorim të insulinës dhe tabletave. Studimet klinike të endokrinologjisë thonë se deri në vitin 2030, pritet që çdo i 9 qytetar në vend të jetë i prekur nga diabeti. Përndryshe, diabeti është një nga katër sëmundjet kronike më të shpeshta që ka prekur popullsinë e Maqedonisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button