Pas shumë furnizimeve Qeveria do të kursejë, opozita akuzon për hipokrizi

Gazetare: Andrea Çobanova

Funksionarët t’i reduktojnë udhëtimet zyrtare, ndërsa mobilje dhe makina të reja mund të blihen vetëm me lejen e Qeverisë. Këto janë pjesë e masave të marra për uljen e shpenzimeve të institucioneve shtetërore në kohë krize. Çdo tre muaj, zyrtarët do të raportojnë në Ministrinë e Financave se si i kanë shpenzuar paratë.

“Kushdo që nuk e respekton atë vendim do të sanksionohet në përputhje me Ligjin e Shoqërive Tregtare dhe Ligjin e Marrëdhënieve të Punës”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja opozitare thonë se masat janë hipokrite sepse Qeveria tashmë ka shpenzuar mijëra euro për, siç thonë ata, prokurime të ndryshme të panevojshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme në periudhën e kaluar, pasi e dinte se do të kishte krizë ekonomike, në vend që të ndalonte procedurat e tilla për shpenzime joproduktive, prokuroi mobilie prej 250 mijë eurosh, pra 250 mijë euro. Sekretariati për Çështje Evropiane, ku ka disa muaj që është Bojan Mariçiq, ka blerë mobilie dhe shërbime për larje makinash në vlerë prej 700.000 denarë”, u shpreh Dimçe Arsovski – Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Qendra për Komunikime Civile doli me analizë se në dy vitet e fundit të krizës institucionet kanë blerë 142 automjete të reja për të cilat kanë paguar 3,6 milionë euro. Më i shtrenjti kushton 47 mijë euro, dhe gati 40 për qind e automjeteve të reja kushtojnë më shumë se 30 mijë. Shërbimi qeveritar për punët e përgjithshme dhe të përbashkëta ka blerë më shumë makina, respektivisht 45./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button