Pasi njoftoi bllokimin e tërësishëm të Kuvendit, Mickoski paralajmëron edhe hapat e tjerë

Pasi njoftoi bllokimin e tërësishëm të Kuvendit, Mickoski paralajmëron edhe hapat e tjerë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Një ditë pasi njoftoi bllokimin e tërësishëm Kuvendit, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski paralajmëron  se ky do të jetë hapi i parë por jo i vetëm i tyre, për të penguar politikat e këqija të pushtetit, shkruan Alsat.

Partia opozitare maqedonase do të marrë një vendim të prerë në mbledhjen e organeve të partisë në orët e mbrëmjes kurse Mickoski propozon që nëpërmjet veprimeve bllokuese të detyrojë pushtetin të bisedojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nëse mendoni se do të ndalojmë këtu, ne nuk do të ndalojmë. Ky do të jetë proces përmes të cilit do ta detyrojmë këtë qeveri të drejtuar nga 15 deputetë të BDI-së dhe të administruar nga Kovaçevski dhe LSDM-ja, të ikë, sepse duhet të pajtoheni se asnjëherë në të kaluarën nuk ka qenë kaq keq si tani. Ky është proces që do të zgjasë të paktën disa muaj, deri sa kjo qeveri nuk mbledh mend. Paraprakisht u kërkoj falje qytetarëve për periudhën që do të vijë por duhet të na kuptojnë”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Mickoski ftoi partitë tjera t’i bashkohen idesë së tij. Deri tani, pro bllokimit është shprehur vetëm Lëvizja Besa. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se është e drejtë e secilës partie të ndërtojë strategjinë e saj, por se partia e Selës ka iniciuar disa nisma në Kuvend, të cilat planifikon t’i çojë deri në fund.

“Aleanca për Shqiptarët në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare jo vetëm për shkak se jemi opozitë por për faktin se kjo qeveri e ka dëshmuar tani më se është e paaftë për ta drejtuar vendin, jemi në kolaps total në shumë drejtime dhe shohim në të gjitha anët grevë, padrejtësi, krizë, e kështu me radhë”, u shpreh Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët.

Paralajmërimi i Mickoskit është ferrë në këmbë për pushtetin. LSDM-ja thotë se me bllokimin eventual të Kuvendit do të bllokohen shumë nisma të rëndësishme për qytetarët.

“Me paralajmërimet për bllokime edhe më të mëdha, Mickoski nuk e bllokon vetëm LSDM-në, nuk e bllokon Qeverinë, Mickoski nuk i bën dëm LSDM-së dhe as Qeverisë. Me veprime të këtilla jo shtetdashëse, Mickoski vetëm i dëmton qytetarët. Detyrë e LSDM-së si parti e përgjegjshme dhe shtetdashëse, bashkë me shumicën të cilën e drejton, është të mos lejojmë që shantazhet dhe interesat personale të Mickoskit të dëmtojnë shtetin dhe qytetarët”, theksoi Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Edhe për BDI-në, bllokimi i institucioneve nuk do të jetë zgjidhje.

“Dhunimi institucional dhe bllokimi i shtetit nuk është në interes të qytetarëve, nuk u shkon përshtat qytetarëve dhe sigurisht se është dëshmuar nga e kaluara se është një politikë e gabuar. Shpreh keqardhje të thellë në qoftë se merret një vendim i tillë nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE. Uroj që ta rishqyrtojnë pozitën e tyre dhe i ftoj të garojnë me ide dhe projekte”, tha Arbër Ademi, BDI.

Partitë e pushtetit deklarativisht thonë se janë të hapura për të biseduar për propozime e mira të opozitës por jo edhe për zgjedhje të parakohshme. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button