Pejë, 2 viktima si pasojë e vërshimeve, humb jetën nëna dhe fëmija 5 vjeçar

Pejë, 2 viktima si pasojë e vërshimeve, humb jetën nëna dhe fëmija 5 vjeçar

Një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeçar, humbën jetën në Pejë, si pasojë e vërshimeve. Policia e Kosovës njoftoi se nëna fillimisht ishte zhdukur, por është gjetur pas kërkimeve të ekipeve policore. Familjarët e dy viktimave në Pejë rrëfyen tmerrin e përjetuar.

“Shi ka rënë, ka rrëshqitur një pjesë e kodrës, e ka nxënë jazin, u mbush te vëllai oborri plot ujë, del, deri kur ka pas mundësi e ka mbajt muri, por më pas uji ka depërtuar brenda. Mezi i kemi shpëtuar dy fëmijët e tjerë, jemi munduar ta shpëtojmë nusen, sepse atë të voglin nuk e kemi pa askund, pastaj e kemi gjet në shtëpi të komshinjve, e nusen e kemi gjet në tretën shtëpi në podrum”, u shpreh Miliam Ademaj, familjar i viktimave.

“Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shtëpitë me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë. Pesë pare nuk i jepi për dëme, vetëm që janë hup gruaja me djalin… Ne të gjithë kemi vrapu t’i shpëtojmë, bile jam i sëmurë prej këmbës, gati uji më ka çu. Nuk kam mundur asgjë t’i ndihmojë. Vetëm shyqyr i kemi shpëtuar një familje aty pranë, e kemi ngreh njeriun zhag deri e kemi shpëtu, se ai ka qenë i palëvizshëm,” tha Haki Rama, familjar i viktimave.

Si pasojë e vërshimeve të një nate më parë në Pejë, janë lënduar edhe dy persona. Ata po trajtohen në spitalin e Pejës. Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri shprehu keqardhje për tragjedinë. Njoftoi se ekipet po punojnë në terren për sanimin e dëmeve.

“Përveç këtij rasti tragjik që kanë humbur nëna me fëmijë, këto tjera janë sende që rregullohen, por këto dy jetë nuk mund të kthehen. Ka ra shi shumë kohë të gjatë dhe mbrëmë ka qenë sasi e reshjave që nuk ka ndodhur ndoshta për 50 vite. Duhet t’i bëjëm sajimet dhe të shohim çfarë do të bëjmë,” deklaroi Gazemend Muhaxheri, kryetar i Pejës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi se qeveria është angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button