Pendarovski: Rastet të marrin përfundim gjyqësor

Gazetar: Fatlume Dervishi

Presidenti Stevo Pendarovski, në fjalimin e fundvitit para deputetëve theksoi mungesën e drejtësisë si arsye më të madhe për shkak të cilës të rinjtë lëshojnë vendin, shkruan Alsat.

Presidenti tha se barazia para ligjit ose drejtësia që nuk bën përzgjedhje është aspekti më i rëndësishëm në ndërtimin e shtetit juridik funksional. Nisur nga ngjarjet tragjike me autobusin në Sofje dhe djegia e spitalit në Tetovë ai theksin e vendosi te përgjegjësia.

“Mënyra e vetme që ta kthejmë besimin tek institucionet është të kemi përfundim juridik për çdo rast ku ekziston dyshim për kryerjen e veprave penale. Tragjedia e madhe me autobus ku humbën jetën 45 qytetarët tanë është vetëm rasti i fundit në sërën e rasteve të tilla. Nëse ky rast, si edhe rastet e mëparshme nuk marrin përfundim gjyqësor në një afat të arsyeshëm, mosbesimi i qytetarëve vetëm do të zmadhohet”, tha Stevo Pendarovski, President.

Presidenti sugjeroi të mos shpejtohet në arritjen e zgjidhjes në kontestit me Bullgarinë dhe kjo të mos bëhet me çdo çmim. Ai tha se theksi në marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të vendoset nga e kaluara, në të ardhmen. Në vend të kësaj, Presidenti tha se duhet të jemi të preokupuar me reformat kryesore në vend nga të cilat varet cilësia e jetës së qytetarëve.

“Kur i dimë linjat tona të kuqe dhe i mbrojmë publikisht, nuk duhet të jemi të preokupuar me faktin se sa kohë do t’u nevojitet të tjerëve që të ballafaqohen me të vërtetën për ne. Përndryshe, nga fillimi i bllokadës bullgare, deri më sot, unë jam për një qasje të kujdesshme dhe të reflektuar në negociatat, pa kthesa të menjëhershme sepse bëhet fjalë për çështje të interesit absolutisht më të lartë nacional, ndërsa kur jeni të ballafaquar me një sfidë të një kalibri të tillë, shpejtimi nuk është gjithmonë aleati juaj më i mirë”, u shpreh Stevo Pendarovski, President.

Nëse vendi nuk merr datë për një kohë të shkurtër, stabiliteti I vendit nuk është në rrezik, siguroi kreu i shtetit.

“Në lidhje me bllokadën e integrimeve evropiane dëshiroj të referoj edhe për një tezë të cilën e dëgjojmë kohët e fundit, kurse ajo është se gjendja e prolonguar e status quo-së, kushtimisht, mund të shkaktojë destabilizim të sigurisë së shtetit. Sot këtu para jush, dua të them qartë se bëhet fjalë për analiza dhe parashikime të cilat nuk janë të bazuara në realitet dhe të cilat mund t’i shqetësojnë pa qenë nevoja qytetarët”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Pendarovski deklaroi se vendi duhet t’i kushtojë rëndësi investimit në fushën e mbrojtjes, konkretisht në ushtrinë e vendit dhe edukimit mediatik. Dezinformatat dhe sulmet hibride i konsideroi si rrezik serioz i së ardhmes.

Presidenti në fund të fjalimit të tij komentoi dorëheqjen e Zoran Zaevit. Ai tha se mosmarrëveshjet e herpashershme mes tyre, janë akt demokratik që duhet përshëndetur.

“Është fakt se ai po tërhiqet kur partia e tij është në pushtet, kurse kjo është një situatë diametralisht e kundërt me atë të vitit 2017, kur nuk mund të zbatonim tranzicion të qetë të pushtetit kur kishte shumicë të formuar parlamentare, që provokoi drejtpërdrejt ngjarjet e 27 prillit, turpin më të madh për demokracinë maqedonase në histori”, theksoi Stevo Pendarovski, President.

Është ky fundviti i dytë i Pendarovskit nga pozita e të parit të shtetit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button