Pentagon: Qindra raporte të reja për UFO-t, asnjë dëshmi e origjinës jashtëtokësore
Pentagon: Qindra raporte të reja për UFO-t, asnjë dëshmi e origjinës jashtëtokësore

Raporti i fundit i Pentagonit përmban qindra raporte të reja për objekte të paidentifikuara fluturuese (UFO) dhe fenomene të pashpjegueshme, por nuk ka asnjë provë që sugjeron një origjinë jashtëtokësore të këtyre fenomeneve, shkruan sot Guardian.
Raporti përfshin 757 raste të raportuara tek autoritetet amerikane nga 1 maji 2023 deri më 1 qershor të këtij viti.
Kjo shifër përfshin gjithashtu 272 incidente që kanë ndodhur para asaj periudhe, por që nuk janë raportuar më parë.
Numri më i madh i incidenteve ka ndodhur në hapësirën ajrore mbi Tokë, ndërsa 49 prej tyre janë regjistruar në një lartësi mbi 100 kilometra.
Në shumë raste, studiuesit kanë përcaktuar se objektet “të paidentifikuara” në fakt nuk janë asgjë misterioze – ato shpesh rezultojnë të jenë balona, zogj, drone ose satelitë.
The Guardian thekson se satelitët e sistemit Starlink të Elon Musk janë një burim gjithnjë e më i zakonshëm konfuzioni, pasi njerëzit shpesh i keqidentifikojnë këto grupe satelitësh si UFO.
Edhe pse janë shpjeguar rreth 300 incidente, qindra raste të tjera mbeten të pazgjidhura, por autorët e raportit vunë në dukje se kjo zakonisht do të thotë se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të nxjerrë një përfundim.
Raporti gjithashtu vuri në dukje se nuk u raportuan të lënduar apo aksidente gjatë këtyre incidenteve.