Pentagoni: Grupet militante nga Afganistani, rrezik për SHBA-në

Për dy vjet, grupet militante ndërkombëtare, siç është Al-Kaida, mund të paraqesin rrezik për tokën amerikane dhe aleatët e SHBA-së.

“Mbase do të duheshin dy vjet që ata të zhvillonin këtë aftësi”, tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, gjatë një seance dëgjimore në Kongres.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjeneral Mark Milley, tha se edhe ai pajtohet me këtë afat, por për momentin ekziston një rrezik mesatar.

“Ky rrezik padyshim se do të rritej nëse do të ketë një kolaps të qeverisë afgane, ose një shpërbërje të forcave afgane të sigurisë”, tha Milley.

Dhuna është rritur ndjeshëm në të gjithë Afganistanin që kur Shtetet e Bashkuara në muajin prill njoftuan planet për të tërhequr të gjitha trupat e tyre deri më 11 shtator.

Nga Afganistani do të tërhiqen, përmes një procesi të koordinuar, edhe forcat e NATO-s.

Ekzistojnë shqetësime se pas tërheqjes së forcave të huaja, forcat e sigurisë së Afganistanit nuk do të jenë në gjendje të mbajnë sigurinë.

Kryengritësit talibanë po luftojnë trupat qeveritare në 26 nga 34 provincat e Afganistanit, thonë zyrtarët e qeverisë.

LEXO EDHE:

Back to top button