Për të katërtën ditë nuk po realizohet regjistrimi në disa vendbanime

Regjistrimi i popullsisë prej katër ditësh është ndërprerë në shumë rajone për shkak të problemeve teknike. Nga Enti për Statistikë thonë se regjistrimi vazhdon por me intensitet tepër të ulët për shkak të harmonizimeve teknike që bëhen në sistem, por pa dhënë detaje se për çfarë harmonizimesh bëhet fjalë. Nga ky Institucion pranojnë se po ballafaqohen me sulme kibernetike, por jo në sistemin për regjistrim, por në ueb faqen.
Në ditët e fundit, ueb faqet e Entit të Statistikave janë në sulme të vazhdueshme dhe prandaj në periudha të caktuara nuk janë të hapura për shkak të mbrojtjeve që përdoren për ndalimin e këtyre sulmeve. Faqet janë me nivel më të lartë të sigurisë, ndërsa të dhënat janë të mbrojtura në më shumë nivele dhe me standarde më të larta të IT-së – thonë nga Enti i Statistikave.
Kërkuam qëndrim edhe nga operatori “Telekomi i Maqedonisë”, sistemin e të cilëve e përdor Enti i Statistikave. Nga atje mohojnë të ketë probleme në sistem.
Telekomi i Maqedonisë nuk ka asnjë lloj të problemeve teknike me shërbimet dhe serviset që i jepë për Regjistrimin 2021 – njoftojnë nga Telekomi i Maqedonisë.
Nga ana tjetër regjistruesit me të cilët kontaktuam thonë se mbrëmë kanë marrë urdhra të ndryshëm. Disave u kanë thënë që të lidhen pas orës 17.00 me laptopët e tyre e të provojnë nëse funksionon sistemi. E disa të tjerë thonë se vetëm kanë marrë urdhër që mos të dalin në terren.
Na kanë thënë përsëri që të mos dilet për regjistrim. Mbrëmë nga ora 17.30 deri më ora 19.00 kishim testim, të gjithë regjistruesit u kyçën për të provuar a bën ose jo sistemi. Të gjithëve u punonte aplikacioni dhe ishte në rregull por sot përsëri na thanë që mos dalin -tha një Instruktor rajonal.
Përsëri kemi urdhër për të dalë për të bërë regjistrimin edhe sot – u shpreh një tjetër Instruktor rajonal.
Për tre ditë me radhë, nuk funksionon as aplikacioni për vetë regjistrimin online të diasporës. Regjistrimi i popullsisë rezidente filloi më 5 shtator dhe duhet të përfundojë deri më 30 shtator.
Mefail Ismaili