Përleshje mes forcave qeveritare dhe rebelëve në veriperëndim të Sirisë

Përleshje mes forcave qeveritare dhe rebelëve në veriperëndim të Sirisë

Forcat qeveritare siriane dhe rebelët u përleshën mbrëmë në Sirinë veriperëndimore për herë të parë që kur rajoni u godit nga tërmetet shkatërruese, njoftoi Qendra Siriane për të Drejtat e Njeriut.

Siria veriperëndimore është një nga rajonet më të goditura dhe është nën kontrollin e rebelëve që kundërshtojnë qeverinë e presidentit Bashar al Asad.

Organizata joqeveritare njoftoi se forcat qeveritare në Damask bombarduan periferinë e qytetit Atareb, ku si pasojë e tërmeteve humbën jetën 235 njerëz.

Numri i përgjithshëm i viktimave të fatkeqësisë natyrore në pjesën veriperëndimore të vendit kalon 4.400 persona, sipas të dhënave të KB-së.

Përleshjet mes forcave qeveritare dhe rebelëve u zhvilluan në një rajon tjetër të Sirisë veriperëndimore pranë qytetit të Sarakebit, i cili është nën kontrollin e Damaskut.

Sipas Qendrës Siriane për të Drejtat e Njeriut, forcat e Asadit bombarduan periferi të dy fshatrave në provincën Hama./MIA

LEXO EDHE:

Back to top button