Përpjekje për të zbuluar motivin pas shpërthimit në Nashville

Në SHBA, autoritetet vazhdojnë të punojnë për të zbuluar motivin pas një shpërthimi që tronditi qytetin Nashville mëngjesin e Krishtlindjeve, ndërkohë që provat flasin për një person 63-vjeçar të përfshirë në ngjarje, i cili me sa duket bëri vetvrasje.

Byroja Federale e Hetimeve e identifikoi dje të dyshuarin si Anthony Warner dhe tha se ai vdiq gjatë shpërthimit, i cili dëmtoi më shumë se 40 biznese në qendër të qytetit Nashville, më i madhi i shtetit Tenesi dhe kryeqyteti i muzikës “Country” të Amerikës.

Shtëpia me rrota e personit në fjalë shpërtheu në të gdhirë të së premtes, pak çaste pasi policia duke iu përgjigjur njoftimeve për të shtëna me armë arriti pranë vendit të ngjarjes, ku dëgjoheshin mesazhe audio që vinin nga një automjet dhe që paralajmëronin për një bombë. Policia nxitoi të evakuonte njerëzit në zonë ndërkohë që Warner është personi i vetëm që dihet se vdiq në shpërthim.

Kryebashkiaku i qytetit Nashville John Cooper ka thënë se zyrtarët vendës menduan se duhej të kishte një lidhje midis shpërthimit dhe një ndërtese të kompanisë AT&T, pranë së cilës ndodhi ngjarja.

Por zyrtarët kanë thënë se është tepër herët për të folur mbi motivet e personit të dyshuar.

LEXO EDHE:

Back to top button