Përplasje e ashpër mes Ademit dhe Shasivarit për vendimet e Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së

" "

Gazetare: Ajnur Bafqari

Përplasje e ashpër mes sekretarit të përgjithshëm të BDI-së Arbër Ademi dhe ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari lidhur me vendimet e Speciales për ish krerët e UÇK-së. Ademi e akuzon Shasivarin se merret me shqiptarët, në vend që, siç thotë, të merret me ata që i dëmtojnë shqiptarët. Madje, ai pretendon se ministri flet me gjuhën e siç e quan “tutores” së tij, Tanja Karakamisheva.

“Jeton Karakamishevën, a e keni dëgjuar ndonjëherë të thotë: “UÇK-ja bëri luftë të drejtë”, “drejtuesit e UÇK-së janë të pafajshëm”, “UÇK-ja është e pastër si loti”? Jo. As nuk do ta dëgjoni. Nuk guxon! Sepse roli i tij është të merret me gjithçka që është shqiptare, kombëtare dhe e pastër: me Ali Ahmetin, me Edi Ramën, me UÇK-në, me çdo simbol e kauzë shqiptare. Flet me gjuhën e tutores së tij, Tanja Karakamishevës, dhe vazhdon të njëjtën avaz: të merret me shqiptarët, në vend se të merret me ata që i dëmtojnë shqiptarët”, deklaroi Arbër Ademi, BDI.

Ndërsa Shasivari i kundërpërgjigjet me një tjetër seri pyetjesh, ai bën një paralele mes dy datave që kanë një diferencë 22 vjeçare, e që lidhen me pritën dhe Specialen.

“26 SHTATORI 1998: PRITA. 2-3 SHTATORI 2020: DËSHMIA. Dy ngjarje. I njëjti person. 22 vjet diferencë. Më 26 shtator 1998, sipas të dhënave publike, ndodhi prita ndaj Komandant Soravia, me pasoja të mundshme fatale. 22 vjet më vonë, më 2-3 shtator 2020, ai dëshmoi rreth 15 orë në Prokurorinë Speciale në Prishtinë. Kanë kaluar 6 vite nga ajo dëshmi? Çfarë dëshmoi në Prokurorinë Speciale? Pyetje publike. Jo paragjykim. Jo akuzë. Dy datat kujtohen. Dëshmia është dhënë. Por pyetjet mbeten. Opinioni meriton përgjigje”, tha Jeton Shasivari, Ministër i Drejtësisë.

Përplasja u thellua në debatin në Alsat, N’Dritë ku nënkryetari i VLEN-it Bekim Qoku, teksa arsyetonte qëndrimin e ministrit Shasivari, që të respektohet cilido vendim i Hagës, tha se Shasivari po mbronte një vendim të një gjykate të cilën e ka themeluar Ali Ahmeti. Ndërkohë Ademi theksoi se Ali Ahmeti ishte intervistuar për 27 orë nga Haga si themelues i UÇK-së dhe si drejtues i Lëvizjes Kombëtare./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button