Gazetar: Bashkim Sulejmani
Goma makinash, akumulatorë dhe pjesë të tjera të automjeteve janë përfshirë nga flakët sot në një varrezë makinash në qytetin e Tetovës. Zjarrfikësit e qytetit kanë luftuar me flakët për orë të tëra, ndërsa për shkak të materialeve që digjeshin, shuarja e zjarrit ka qenë tejet e vështirë dhe ka kërkuar kohë të gjatë. Në përpjekjet për shuarjen e zjarrit janë përfshirë edhe banorë të lagjes, të cilët kanë ndihmuar në mbrojtjen e objekteve përreth. Veçanërisht është rrezikuar një pompë benzine, e cila ndodhet shumë pranë vendit ku shpërtheu zjarri në varrezën e automjeteve të vjetra.
“Ky është një zjarr i përmasave pak më të mëdha sepse brenda zjarrit digjen goma por edhe gjëra tjera që përmban një makinë. Kuptohet që kemi edhe shpërthime brenda zjarrit shkaku i akumulatorëve të ndryshëm që digjen në këtë varrezë makinash. Pompa e benzinës është e siguruar, sepse ka rreth saj zjarrfikës që vlerësojnë situatën por deri tani nuk ka rrezik”, deklaroi Avni Ameti shef i NJTKZ Tetovë.
Në vend ngjarje kishte dalë edhe inspektorati komunal i mjedisit jetësor, të cilët po hetonin për ndotjen e ambientit. Kanë paralajmëruar masa ndaj pronarëve.
“Ne si inspektorat komunal momentalisht jemi në vendngjarje ku ndodh zjarri dhe së bashku me inspektorët e ambientit do e inspektojmë nvendin dhe do bëjmë analizat nëse ka ndotje nga zjarri. Në fund pasi të marrim analizat e duhura do marrim masat e mëtejme në bazë të Ligjit”, theksoi Armend Salihi. Shef i Inepktoratit komunal.
Sipas rekomandimeve të Inspektoratit dhe shërbimit zjarrfikës, për shkak të tymit të dendur që po përhapet në qytet, banorëve të zonës u bëhet thirrje që t’i mbajnë dritaret të mbyllura. Rekomandimi vlen deri në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe largimin e tymit nga zona e banuar./Alsat.mk.








