Përplasje e ashpër në Kuvend për referendumin e opozitës

Përplasje e ashpër në Kuvend për referendumin e opozitës

Gazetar: Adrian Kerimi

Fati i referendumit përplasi pushtetin dhe opozitën në seancën për pyetje deputetësh.

Ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së i kërkuan kryeministrit Dimitar Kovaçevski të tregojë se pse frikësohet nga zëri i popullit. Bojan Stojanovski akuzoi kryeministrin se ka marrë vendim në dëm të 73 për qind të qytetarëve, shkruan Alsat.

“Ja të themi se keni të drejtë, ky është sukses historik, nuk përsëritet më, nuk është përjetuar prej vitesh, janë hapur portat e parajsës, do të vijnë investime nga BE dhe populli do të pasurohet, ejani të dalim në referendum. Ejani në referendum. Të dalim dhe të flet populli”, tha Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri duke përsëritur qëndrimin se pozicionet shtetërore janë ruajtur, akuzoi opozitën për mungesë të kulturës elementare. Kovaçevski tha se opozita se po punon kundër anëtarësimit të vendit në BE.

“Njeriu mund të arrij majat e edukimit formal, por nëse ka zbrazëtira në kulturën elementare shtëpiake, nuk i ndihmojnë dot as institucionet më të larta. Një kulturë e tillë nuk mësohet as në Kuvend dhe as para Kuvendit. Kërkesa juaj për referendum është për nevojat e brendshme partiake. Atë që e bëtë ju, këtu në vendin e koordinatorit tuaj Micevski duhet ta vendosni Apasievin. Politikën që ju bëni është për t’i mbrojtur interesat e vendeve të treta. Ky është dëmi më i madh që mund t’i ndodh qytetarëve”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Opozita nuk qëndroi në sallë pasi sipas saj, kryeministri nuk përgjigjet në pyetjet e parashtruara.

“Ne nuk jemi prezent këtu sepse nuk duam të dëgjojmë pyetje dhe përgjigje të përgatitura paraprakisht në letër. Për të gjitha pyetjet të cilat i parashtruam nuk morëm asnjë përgjigje konkrete”, theksoi Eli Panova, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Në sallë nuk ishin më shumë se gjysma e kabinetit Qeveritar, ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja qëndronin vetëm deputetë të cilët ishin paraqitur për pyetje./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button