Përplasje LSDM–VMRO-DPMNE pas arrestimit të shoferit të Janushevit: “Të hetohet nëse ishte dora e zgjatur e sekretarit të Qeverisë”

Gazetar: Avni Tahiri

Përplasje mes LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së pas arrestimit të shoferit të sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, i cili i kishte premtuar një qytetari se do të ndikonte për punësimin e tij si zjarrfikës në këmbim të 1.500 eurove.

Nga partia opozitare e LSDM-së kërkojnë që të hetohet roli i sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushevit në rastin e shoferit të tij, duke ngritur pyetjen nëse ky i fundit ishte vetëm ndërmjetës dhe siç thonë  “dora e zgjatur” e Janushevit në kërkesën e pretenduar për 1.500 euro në këmbim të ndërmjetësimit për punësim. Sipas LSDM-së, rasti është një tjetër tregues se pushteti funksionon si “grup i organizuar kriminal”.

“Vetëm mund të shtoj se, si edhe deri tani, ndoshta një pjesë e policisë po e kryen punën e saj, megjithatë, sikurse edhe në rastet e mëparshme, deri më tani askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Le të shohim nëse në këtë rast do të mbajë përgjegjësi shoferi apo nëse çështja e tij do të mbyllet vetëm me një telefonatë. Duhet të hetohet e gjithë procedura dhe të shihet nëse ky person është vetëm ‘dora e zgjatur’ e Igor Janushevit.” tha Renata Mlladenovska – Anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së

VMRO-DPMNE iu përgjigj akuzave të LSDM-së. Partia e Mickoskit thotë se ky rast dëshmon se mbisundon shteti i së drejtës dhe se qeveria lufton krimin.

“Punonjësi i arrestuar u përpoq të marrë ryshfet dhe menjëherë u trajtua nga MPB-ja, iu dhanë paratë e shënuara dhe tani është pas grilave dhe ndaj tij po zhvillohet procedurë. Sikur kjo të kishte ndodhur në kohën e LSDM-së, asgjë nga kjo nuk do të bëhej e ditur, sepse askush nuk do të ishte sanksionuar, ndërsa ato para prej kohësh do të kishin përfunduar te ndonjë prej krerëve të LSDM-së” thonë nga VMRO-DPMNE

Sipas partisë në pushtet, ky rast, së bashku me shumë shembuj të tjerë, thonë se tregon se ekziston shteti ligjor dhe se ligji zbatohet për të gjithë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button