Shoferi i sekretarit të Qeverisë kapet me 500 euro të shënuara, dyshohet se premtoi punësim për 1.500 euro

Gazetar: Avni Tahiri

Për 1.500 euro, shoferi i sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, i premtoi një qytetari se do t’i siguronte punësim si zjarrfikës. Pasi mori kaparin prej 500 eurosh, të cilat paraprakisht ishin shënuar nga autoritetet, i fshehu paratë në automjetin zyrtar të Qeverisë por më pas u kap nga policia. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se behet fjalë për personin 49-vjeçar me inicialet D.C. nga Shkupi i punësuar në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.

“Menjëherë pas denoncimit, u ndërmorën masa dhe aktivitete për dokumentimin e veprës penale. Më 4 shtator 2026, rreth orës 17:50, në territorin e Shkupit, denoncuesi ia dorëzoi D.C.-së pesë kartëmonedha nga 100 euro, të cilat paraprakisht ishin përpunuar në mënyrë kriminalistike dhe teknike. Gjatë kontrollit të automjetit zyrtar të të dyshuarit u gjetën paratë, ndërsa atij iu sekuestrua edhe një telefon celular. D.C. u privua nga liria,” thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme

Sipas Qeverisë, ky rast tregon se ligjet vlejnë për të gjithë dhe dëshmon vullnetin dhe qëllimin e saj për t’u përballur me korrupsionin.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se ka hapur hetim ndaj 49-vjeçarit. Sipas saj, ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “pranim i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

“Procedura u iniciua pas denoncimit të një qytetari, nga i cili i dyshuari, gjatë periudhës nga 24 korriku deri më 4 shtator 2026, kishte kërkuar 1.500 euro për të shfrytëzuar ndikimin e tij të supozuar. I dyshuari, i cili punonte si shofer i një zyrtari të lartë qeveritar, i kishte premtuar të dëmtuarit se do të ndërmjetësonte te zyrtarët në Qytetin e Shkupit lidhur me punësimin pas shpalljes së konkursit për pranimin e zjarrfikësve. Pas denoncimit, organet kompetente, në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin, ndërmorën veprime për sigurimin e provave” thuhet nga Prokuroria Themelore Publike

Nga prokuroria shtojnë se për shkak të rrethanave që tregojnë për rrezik arratisjeje, mundësi që i dyshuari të ndikojë te dëshmitarët gjatë procedurës, si dhe rrethana që justifikojnë frikën se ai mund ta përsërisë veprën penale, prokurori publik i dorëzoi gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata i caktoi të dyshuarit paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button