Përplasje në LDK: 6 deputetë kundër marrëveshjes me Kurtin

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se gjashtë deputetët të cilët kundërshtojnë të votojnë kandidatin për president Bekim Sejdiu i bëjnë dëm Kosovës por edhe partisë, LDK-së. Abdixhiku nëpërmjet një reagimi në facebook ngre dyshime për veprimin e gjashtë deputetëve, pasi zgjedhjet e reja nuk ishin në agjendën e LDK-së por të partive të tjera.

“Për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar? Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora!  Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!”. – Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.

Pavarësisht kundërshtisë nga gjashtë deputetë, Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti tha se marrëveshja me partinë e Lumir Abdixhikut qëndron dhe është e vlefshme duke paralajmëruar takim të ri me Abdixhikun dhe kryesinë e VV-së

“Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që në njërën anë unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së, dhe në anën tjetër që të rikthehem në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet të ndjekim përpara.” – Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë.

LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja aktualisht, sipas Abdixhikut, ka vetëm 12 deputetë që e mbështesin Sejdiun për president.

“Unë me 12 deputetë vet i 12-i do të jem në sallë ditën kur do të votohet. Kaq është forca që mund ta kemi. Deri në momentin e fundit do të bëjmë përpjekje për votë”. – Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.

 

Nëse llogariten edhe pakicat joserbe, sërish nuk arrihet kuorumi që Sejdiu të bëhet president. PDK ka 22 deputetë, ndërkaq Aleanca shtatë. Prej muajsh, Aleanca e Ardian Gjinit ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për institucionet, ndërkaq PDK-ja e Bedri Hamzës ka refuzuar që të bashkëpunojë me Kurtin, si për Qeverinë, ashtu edhe për presidentin, duke deklaruar se këtë mandat do të qëndrojë në opozitë. Ndërkohë këto dy parti opozitare kanë vazhduar edhe sot aksionin para Qeverisë, duke bllokuar hyrjen në këtë institucion dhe duke kërkuar mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button