Përplasje për ligjin e duhanit – Shëndetësia pro, gastronomët kundër

Përplasje për ligjin e duhanit - Shëndetësia pro, gastronomët kundër

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Propozim-ligji për mbrojtje nga duhani vazhdon të jetë në fazën e konsultimeve publike në Regjistrin Elektronik të Rregulloreve (ENER), ku qytetarët dhe grupet e interesit kanë ende mundësi të paraqesin propozime dhe sugjerime.

Pas mbylljes së kësaj faze, pritet që ligji të marrë formën përfundimtare dhe të procedohet për shqyrtim në Kuvend. Ministria e Shëndetësisë pret mbështetje të gjerë politike, duke theksuar se miratimi i këtij ligji kërkon konsensus nga të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik.

“Shëndeti Publik duhet të jetë mbi të gjitha interesat e tjera dhe presim që në kuadër të Komisionit për Shëndetësi të iniciohet një bashkëpunim i tillë. Ministria e Shëndetësisë është e hapur për sugjerime nga të gjithë aktorët e prekur dhe të gjitha propozimet do të analizohen seriozisht mbi bazë të argumenteve”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, gastronomët dolën publikisht kundër propozim ligjit për duhanin, duke shprehur shqetësimin se miratimi i tij do të kishte pasoja të rënda për biznesin. Sipas tyre, ndalimi i duhanit në ambientet e lokaleve do të sillte humbje të konsiderueshme ekonomike, rënie të numrit të klientëve, si dhe humbje të vendeve të punës për një numër të madh punëtorësh në këtë sektor.

Me projektligjin e ri për mbrojtje nga duhani parashikohet ndalimi i plotë i pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura publike, pa asnjë përjashtim, si dhe vendosja e kufizimeve të rrepta për shitjen dhe ekspozimin e cigareve si dhe atyre elektronike që përmbajnë nikotinë. Po ashtu, pirja e duhanit do të ndalohet edhe në tarracat e kafeneve dhe restoranteve që nuk janë të hapura plotësisht nga të paktën tre anë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button