Përveç VMRO-së, të gjitha partitë tjera mirëpritën fillimin e negociatave

Përveç VMRO-së, të gjitha partitë tjera mirëpritën fillimin e negociatave

Gazetare: Ajnure Bafqari

Përfaqësuesit e partive politike në vend me reagime pas fillimit zyrtar të negociatave. VMRO-DPMNE-ja nuk pajtohet me përfaqësuesit e pushtetit se kjo është një ngjarje historike, duke e cilësuar këtë si një manipulim të radhës të kësaj qeverie. Antonio Milloshovski, thekson se dëshmi për këtë është fakti që pas kthimit nga Brukseli, përfaqësuesit qeveritarë festojnë në mënyrë private, në vend që të festojnë në shesh me të gjithë qytetarët.

“Sot në Bruksel kemi dy shtete, prej të cilave njëra, Shqipëria, me të vërtetë do t’i fillojë bisedimet me hapjen konferencës së vërtetë ndërqeveritare. Dhe Maqedoninë që do të ketë drekë solemne dhe fotografi të bëra dhe nuk do t’i fillojë bisedimet, por do të kthehet në shtëpi që t’i plotësojë shantazhet dhe kërkesat nga Bullgaria, si parakusht që ndonjëherë pas një viti ose dy, ose më vonë, t’i fillojë bisedimet me BE”, tha Antonio Milloshovski, deputet I VMRO-DPMNE-së.

Partia opozitare shqiptare i gëzohet mbajtjes së mbledhjes së parë ndërqeveriritare në Bruksel. Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, uron qytetarët dhe thekson se vetëm me anëtarësi në BE mund të ketë reformim të sistemit.

“Hapja e negociatave dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian janë jetike për Maqedoninë e Veriut dhe shpresa e vetme për reformimin e sistemit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sundimin e ligjit, barazinë e qytetarëve dhe popujve, si dhe përmirësimin e standardit jetësor dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës Për Shqiptarët.

Nga lidhja social demokrate urojnë qytetarët dhe i sigurojnë ata që gjuha maqedonase është e mbrojtur. Martin Kostovski tha se sot dështuan të gjitha gënjeshtrat e dëgjuara deri më tani nga Mickoski dhe VMRO DPMNE.

“Sot është ditë historike për Maqedoninë e Veriut, për gjeneratat e tashme dhe të ardhme. Pas 17 viteve më në fund i fillojmë negociatat për anëtarësim në BE. Menjëherë pas konferencës filloi procesi i skriningut për Maqedoninë e Veriut për harmonizim të kornizës tonë ligjore me atë të BE-së”, u shpreh Martin Kostovski, deputet i LSDM-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, uron të gjithë qytetarët për fillimin e negociatave, duke theksuar se anëtarësimi në BE, siguron perspektivë të qartë dhe siguri në vend e rajon.

“Shfrytëzoj rastin që të uroj të gjithë qytetarët tanë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke ju siguruar kështu perspektivë të qartë, siguri në vend, rajon e më gjerë dhe një mirëqenie më të lartë, kështu duke menduar për gjeneratat e ardhshme”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Kreu i Alternativës Gashi ka shkruar se partia që drejton ai ka qenë çelësi i stabilitetit të kësaj qeverie që të mund të vijë deri tek data e fillimit të negociatave.

“Prandaj sot, kur kontributi i Alternativës po del në pah, sesi me një veprim politik u ka hapur udhë dy shteteve dhe shumë kombeve, unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që na besuan se kishim marrë vendimin e drejtë”, u shpreh Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.

Maqedonia e Veriut sot mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në me çka edhe zyrtarisht nisi procesi i bisedimeve për anëtarësim në Union. Por konferenca e radhës do të mbahet tek pas ndryshimeve kushtetuese./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button