Pesë të akuzuarit për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, deklarohen të pafajshëm – Palevski thotë se prapavija është politike

Pesë të akuzuarit për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, deklarohen të pafajshëm – Palevski thotë se prapavija është politike

Gazetar: Mihaillo Donev

As Lupço Palevski – Pallço dhe as tre bashkëkryerësit e dyshuar, nuk ndjehen fajtorë për rrëmbimet dhe vrasjet e 14- vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74- vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi, shkruan Alsat.

As babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski nuk ndihet fajtor se ka ndihmuar jetësimin e planit për rrëmbimin e Vanjës.

Nga ana tjetër, prokuroria ka shpjeguar në detaje dispozitivin e aktakuzës, sipas së cilës Vanja është rrëmbyer për t’u kërkuar shpërblim, me ndihmën e babait të saj.

“Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vlatko Keshishev kanë ardhur para ndërtesës së Vanjës me veturën e Pançe Zhezhovskit, i cili është vrarë më herët. Vlatko Keshishev ka pritur në makinë, ndërsa dy të tjerët e kanë hapur derën dhe me thes për fjetje e kanë pritur Vanjën në qilar. Në Vizbeg janë takuar me Palçon dhe së bashku kanë vazhduar për në fshatin Brazdë, ku e kanë vrarë Vanjën. Palço me pistoletë përmes jastëkut e ka qëlluar Vanjën dhe e ka vrarë, më pas e kanë varrosur trupin dhe makinës ia kanë vënë flakën”, tha Zhaklina Krstevska – Josifovska.

Për rrëmbimin, Prokuroria ka akuzuar se ekzekutorët kanë marrë informacione nga babai i Vanjës, por Palevski ka mohuar të ketë lidhje me Aleksandar Gjorçevskin. Për Palevskin, i gjithë rasti ka prapavijë politike.

“Kam bërë kërkesë brenda 30 ditëve që prokuroria të më japë provat dhe as që kam mundur të marr përgjigje. Ky prind në vend që ta qajë fëmijën e vet, atij i është montuar diçka nga policia për të krijuar lidhje mes meje dhe Aleksandrit. Unë as nuk e njoh e as prokuroria ka vërtetuar lidhje mes nesh. Kam qenë i rrëmbyer shtatë ditët e para. Më 15 maj më sollën në burgun e Shkupit, por shtatë ditën nuk kam pasur asnjë akt. Gjykatësi i lëndës paraprake, Dushan Josifov, ka kryer vepër penale. Ky është proces gjyqësor i inskenuar politikisht”, deklaroi Ljupco Palevski – Palço.

Palevski gjithashtu pretendon se Vanja është rrëmbyer për t’u vrarë, jo për të kërkuar shpërblim.

Palevski mohon se ka qëlluar në jastëk përmes së cilit është vrarë Vanja, siç pretendon prokurori, madje avokati i tij ka thënë se ditën kur është vrarë Vanja, Palevski ka qenë në bankë.

Nga ana tjetër, avokati i babait të Vanjës pretendon se klienti i tij është viktimë në këtë rast dhe nuk ka asnjë provë ndaj tij.

“Aleksandri është viktimë, është dëmtuar ne këtë procedurë, pretendoj se çdo prind të cilit do ti ndodhte një gjë e tillë do ta bënte absolutisht te njëjtin veprim qe ai e ka ndërmarrë, pra do të shkonte ne drejtimin e kryerjes se hetimit te tij te pavarur. Ju jeni dëshmitarë se aktakuza është bazuar në provat e siguruara nga Aleksandri, me dijeninë dhe pëlqimin e punonjësve të policisë për të cilët kërkoj të hetohen për të parë se si e kanë zhvilluar procedurën”, tha Vladimir Tufegxhiq, avokat i Aleksandar Gjorçevskit, babait të Vanjës së vrarë.

Ndryshe, kur është fjala për vrasjen e Zhezovskit, avokati i Palevskit tha se kur ka ndodhur vrasja ai nuk ka qenë fare në Veles dhe ende nuk e kanë zbuluar se ku ndodhej. Mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë kanë mohuar gjithashtu çdo përfshirje në këtë vrasje.

Në fillim të seancës së sotme, prokuroria kërkoi përjashtimin e publikut, në mënyrë që raportimi në media të mos dëmtojë më tej shëndetin mendor të nënës dhe motrës së Vanjës, por gjykata e hodhi poshtë këtë propozim.

Seanca e radhës është caktuar për 7 tetor, kur do të fillojë marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe kur pritet të dëshmojë nëna e Vanjës, Zorica Gjorçevska./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button