Pioli: Mos harroni kemi 17 pikë më shumë se vitin e kaluar

Skuadra e Milanit fiton përsëri, pas dy humbjeve radhazi kundër Specias dhe Interit. “Kuqezinjtë” triumfuan në fushën e Romës, duke ofruar një paraqitje të mirë, që jep shpresë për të ardhmen. Stefano Pioli, nuk i fsheh vështirësitë e hasura në javët e fundit.

 

“Unë i thashë ekipit se dy ndeshje negative nuk mund të na dekurajonin dhe zhbënin tërë punën e kryer. Shpresonim që të bënim më mirë në këto dy javë, por duke mos qenë në gjendje ta bëjmë këtë, duhet të shtyjmë përpara me më shumë forcë. Një fitore e rëndësishme kjo në Romë, na rehabiliton pas dy humbjeve. Urime djemve! Ne jemi një ekip i ri. Po bëjmë diçka vërtet të rëndësishme, kemi +17 pikë krahasuar me vitin e kaluar,” tha në fillim Pioli.

 

Pioli foli për Tomorin, një mbrojtës i ri, që arriti në janar nga Çellsi dhe u rreshtua papritur në vend të kapitenit Romanjolit.

 

“Ai menjëherë filloi të luante me këtë personalitet. Unë ende besoj se është kolektivi, që e lejon individin të shprehet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne, me meritë fituam një sfidë të rëndësishme dhe të vështirë,” tha mes tjerash trajneri i Milanit.

 

Pioli, në fund mbron ekipin e tij nga kritikat e javëve të fundit.

 

“Nëse do të na kishin thënë se do të ishim të dytët në renditje muaj më parë, askush nuk do ta besonte këtë. Në të vërtetë, nëse do të kishim 40 pikë, do të na thoshin se kampionati ynë ishte i shkëlqyeshëm, duke luftuar për Ligën e Kampionëve pas kaq shumë vitesh. Serie A ka shtatë skuadra shumë të forta, në fund vetëm katër do të jenë të lumtura, shpresojmë të jemi në mesin e atyre të katërtave. Grupi është shumë i ri dhe i përgjegjshëm, lojtarët kanë vuajtur këto dy javë. Ne e dinim se i kishim zhgënjyer tifozët, luftuam ta ndryshojmë situatën,” tha në fund Pioli.

LEXO EDHE:

Back to top button