Milani duhet të marrë tre pikët në finalen bergamaske ndaj Atalantës që të jetë e qetë në ruajtjen e vendit të katërt. Për të bashkuar grupin e dëshpëruar pas barazimit me Kaliarin dhe për të rritur psikologjikisht skuadrën, trajneri Stefano Pioli ka organizuar një zgarë në ambientet stërvitore të klubit në Milanello.
Stafi teknik, ai drejtues dhe të gjithë futbollistët patën mundësi të kalojnë një dy orësh mjaft argëtues nën shoqërinë e njëri-tjetrit, ndryshe nga herët e tjera, ku në kompleksin stërvitor shkonin vetëm për të djersitur dhe përgatitur ndeshjet.
Nesër dhe të shtunën kuqezinjtë do t’u japin dorën e fundit përgatitjeve, para se të udhëtojnë drejt Bergamos, ku të dielën në mbrëmje do të luajnë ndeshjen e fundit dhe atë më të rëndësishmen e sezonit.(SS)








