Pjesa më e madhe e Kalifornisë në bllokim për shkak të pandemisë

 

Kalifornia po përballet me një bllokim të rreptë, në pjesët më të mëdha të shtetit, ndërsa rastet me Covid-19 rriten në të gjithë vendin.

Urdhri i qëndrimit në shtëpi prek rreth 85% të 40 milionë banorëve të këtij shteti. Vendimi do të jetë në fuqi për të paktën tri javë dhe gjatë festës së Krishtlindjes.

Shumë biznese do të mbyllen dhe njerëzit do të ndalohen të takojnë këdo jashtë familjes së tyre.

Ky vendim erdhi pasi kapacitetet e kujdesit intensiv në spitale po tkurren. Pjesa jugore e shtetit dhe lugina qendrore do t’i nënshtrohen kufizimeve të reja duke nisur nga sot në orën 23:59, me orën lokale.

Masat vijnë pas rritjes së rasteve në spital gjatë së dielës, ku 101 487 persoan ishin të shtruar në të gjithë SHBA-në të dielën, ndërkohë që u regjistruan edhe 1138 vdekje të tjera.

Vendi ka parë një rritje të rasteve dhe vdekjeve të lidhura me Covid në javët e fundit. Rritja mund të jetë për shkak të festës së Falënderimeve muajin e kaluar, kur miliona amerikanë udhëtuan përreth vendit.

Më herët, hyri në fuqi një bllokim lokal në San Francisko, që u ndoq edhe nga zonat e tjera.

Ndërkohë, rastet e koronavirusit në mbarë botën kanë tejkaluar pragun prej 67 milionë, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

Në të gjithë botën, janë regjistruar 67 073 749 infeksione dhe 1 536 072 viktima.

LEXO EDHE:

Back to top button