Plani i Evropës për të tejkaluar krizën energjetike gjatë dimrit

Plani i Evropës për të tejkaluar krizën energjetike gjatë dimrit

Bashkimi Evropian pritet të prezantojë pakon e re të masave që kanë për qëllim të ulin çmimet e gazit dhe energjisë, të cilat po rrisin inflacionin në nivel rekord. Rritja e çmimeve po pengon po ashtu aktivitetin industrial dhe po shtrenjton faturat për qytetarët para sezonit të dimrit.

Në fillim të këtij muaji, Rusia njoftoi se nuk do të rihapë gazsjellësin kryesor që sjell gaz në Evropë, Rrjedhën Veriore 1. Ky është vendimi i fundit në një seri vendimesh që kanë kufizuar furnizimet e energjisë ruse për Evropën. Moska ka thënë se këto kufizime po bëhen në kundërpërgjigje të sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Komisioni Evropian pritet që të mërkurën, më 14 shtator, të paraqesë propozimet e BE-së dhe më pas qeveritë e shteteve anëtare mund të punojnë mbi detajet e propozimeve, dhe ka të ngjarë që t’i miratojnë masat më 30 shtator në takimin e ministrave të Energjisë.

Më poshtë mund të mësoni detajet nga drafti i propozimeve të Komisionit Evropian, dokument të cilin e ka parë agjencia Reuters.

Taksë për centralet që funksionojnë pa gaz

Në draft-propozimin e BE-së thuhet se do të vendosen taksa mbi të ardhurat e gjeneruesve të energjisë elektrike që nuk punojnë me gaz dhe u kërkohet qeverive që të shpenzojnë paratë e mbledhura për të mbrojtur konsumatorët dhe industrinë nga rritja e faturave të energjisë.

Në sistemin e BE-së, centralet e gazit shpesh vendosin çmimin e energjisë elektriket. Termocentralet që funksionojnë me karburante të tjera më pas e shesin energjinë e tyre me çmime të larta – edhe pse ato nuk duhet të paguajnë fatura të shtrenjta për gaz.

Brukseli dëshiron që të heqë çdo të ardhur tjetër që përfitojnë centralet që prodhojnë energji përmes erës, paneleve diellore dhe centraleve bërthamore, thuhet në draft, i cili mund të ndryshojë para se të publikohet nga blloku evropian.

Masat do të aplikoheshin në një çmimi të caktuar për megavat për orë mbi të ardhurat që këta prodhues marrin nga shitja e energjisë në treg. Kufiri i të ardhurave do të zbatohej pasi të kryheshin të gjitha transaksionet e energjisë, kështu që masat, nëse miratohen, nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejt në çmimin e tregut evropian për energjinë elektrike që tregtohet në bursë, thuhet në draft-propozim. Në dokument thuhet se përjashtim bëjnë të ardhurat që dalin nga skemat e subvencionimeve qeveritare.

Termocentralet me qymyr nuk do të përfshihen në këtë masë, pasi shpenzimet e tyre të karburanteve janë rritur jashtëzakonisht shumë këtë vit, u tha në draft.

Në një draft-propozim të mëhershëm, të cilin Reuters e ka parë, ishte përfshirë limiti i të ardhurave prej 200 eurosh për megavat në orë. Çmimi i energjisë elektrike në Gjermani muajin e kaluar arriti në nivel rekord prej më shumë se 1.000 eurosh për megavat, ndërkaq aktualisht një megavat në treg po shitet për rreth 460 euro.

Grupet e industrisë thanë se shumica e fermave e energjisë së erës në Evropë nuk do të fitojnë nga çmimet e larta të energjisë, pasi ato e shesin energjinë në bazë të kontratave me çmime fikse dhe shumë prej tyre janë përfituese të skemave mbështetëse qeveritare. Dhe kjo, ngreh pyetjen se sa para do të mbledhë kjo masë e BE-së.

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button