Plani kinez me 12 pika për luftën Rusi-Ukrainë: Armëpushim dhe negociata

Plani kinez me 12 pika për luftën Rusi-Ukrainë: Armëpushim dhe negociata

Një vit pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Kina ka propozuar një plan prej 12 pikash për t’i dhënë fund armiqësive. Propozimi vjen pas njoftimit të fundit të Kinës se po përpiqet të veprojë si ndërmjetës në luftën që ka rindezur aleancat perëndimore, të konsideruara nga Pekini dhe Moska si rivalë.

Kina ka bërë thirrje për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë. Përveç kësaj Pekini kërkon fillimin e bisedimeve të paqes dhe dhënien fund të luftës.

Kërkesat e Kinës janë pjesë e një plani 12 pikësh që Ministria e Jashtme në Pekin i publikoi në 1-vjetorin e fillimit të sulmit rus mbi Ukrainën. Po ashtu ky vend kërkon dhënien fund të sanksioneve kundër Rusisë, masa për sigurimin e centraleve atomike, krijimin e korridoreve humanitarë për evakuimin e civilëve, si edhe hapa për sigurimin e eksportit të drithërave.

Kina është përpjekur të qëndrojë neutrale në konfliktin e Ukrainës, nga ana tjetër është e lidhur në një partneritet të ngushtë me Rusinë. Ky vend e ka mënjanuar kritikën e drejtpëdrejtë ndaj agresionit rus, madje as nocionin pushtim i Ukrainës nuk e ka përdorur.

Pekini ka akuzuar perëndimin, se e ka provokuar konfliktin dhe ka përshkallëzuar situatën duke dërguar armë në Ukrainë. Propozimi kinez thekson pozicionet e njohura të Kinës, përfshirë edhe nevojën e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve.

Në të njëjtën kohë në planin kinez kërkohet që të merren seriozisht interesat legjitime të sigurisë të të gjitha shteteve.

Me këtë Kina i referohet argumentimit rus, se duhet të mbrohet kundër SHBA dhe NATO-s. Nga ana tjetër qeveria e Pekinit ka kërkuar dhënien fund të mentalitetit të luftës së ftohtë, një përcaktim standard kinez ky, për atë që nga Kina sheh si hegjemoni amerikane.

Kina i trembet përshkallëzimit të luftës prandaj Pekini është shprehur se do të kërkojë nisjen e bisedimeve të paqes. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka përshëndetur planin e paqes.

LEXO EDHE:

Back to top button