Plenkoviq: Qeveria dhe shërbimet tjera do të bëjnë gjithçka për t’iu ndihmuar të plagosurve

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se Qeveria që drejton ai, dhe të gjitha shërbimet tjera në këtë shtet, do të bëjnë gjithçka që munden për t’iu ndihmuar të plagosurve, pas aksidentit të një autobusi me targa të Kosovës, në Sllavonski Brod të dielën në Kroaci.
Si pasojë e aksidentit kanë vdekur 10 persona, ndërsa mbi 40 të tjerë janë plagosur.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Plenkoviq ka bërë të ditur se aktualisht vetëm një person është duke u trajtuar në Zagreb, ndërsa të tjerët në spital në Sllavonski Brod.
Personat që janë mirë më shëndet, janë dërguar në një hotel.
“Unë përsëri shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm trafiku, ndërsa të gjithë atyre që janë plagosur, u është siguruar ndihma urgjente mjekësore. Të gjitha shërbimet përkatëse janë në terren dhe ne do të ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi”, ka thënë Plenkoviq përmes një postimi në Twitter.