Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në tri komunat në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në tri komunat në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në pesë lokacione në tri komuna në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok. Sipas policisë aksion lidhet me ngjarjet e 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. Aksioni policor është zhvilluar kryesisht në pronat që janë evidentuar si prona të të dyshuarit Millan Radoiçiq. Janë konfiskuar dy Mercedes dhe një katërçikletë.

Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë, pjesëtarët policorë në Mitrovicë të Veriut kanë qenë edhe te spitali i qytetit. Aty, hetuesit kanë kërkuar që të kontrollohet një aneks ku gjendet ngrohtorja. Drejtori i spitalit, Zllatan Ellek ka konfirmuar për mediat se policia i ka konfiskuar incizimet monitoruese dhe nuk ka gjetur asgjë tjetër të dyshimtë.

Zyrtarët policorë kanë qenë edhe te një restorant në Mitrovicën e Veriut, i cili besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiqit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Policia ka thënë se kontrollet i ka kryer në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Millan Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë. Ai është i sanksionuar i ShBA-së dhe i kërkuar nga institucionet e Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës ku terroristët serbë u strehuan të dielën e 24 shtatorit. Armatimi që u gjet aty arrinë vlerën prej 5 milionë eurosh dhe ishte i bollshëm për qindra njerëz. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button