Policia zbulon laborator droge në Han të Elezit, bien në pranga dy të rinj

Policia zbulon laborator droge në Han të Elezit, bien në pranga dy të rinj

Policia e Kosovës mbrëmë rreth orës 20:10 ka zhvilluar një aksion kundër drogës në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit ku në një depo është zbuluar një laborator i improvizuar, në të cilin kultivoheshin bimë të dyshuara narkotike të llojit Kanabis Sativa.

Dy persona të dyshuar të moshave 26 dhe 19-vjeç janë arrestuar në vendin e ngjarjes, teksa janë gjetur dhe sekuestruar rreth 30 bimë të dyshuara narkotike të llojit Kanabis Sativa dhe një sërë gjësende tjera që nevojiteshin për kultivimin e drogës, përfshirë një armë zjarri, para të gatshme e telefona celularë.

Po ashtu nën dyshimet se për funksionimin e laboratorit të drogës është bërë kyçje ilegale në rrjetin e rrymës, është kontaktuar KEDS-i, të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes të cilët kanë bërë çkyçjen e kabllove.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal së bashku me gjësende e sekuestruara gjatë bastisjes.

Ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

LEXO EDHE:

Back to top button