“Poligraf”: Si propaganda ruse përhapte dezinformata nga një intervistë me futbollistin Mitreski?

Më 02.02.2023, Ambasada e Rusisë në vend shpërndau në rrjetet sociale shkëputje nga një intervistë e ish-futbollistit të Spartak-ut, Igor Mitreski, në të cilën përcillen disa të pavërteta.

 

Edhe disa media ruse e theksuan pohimin e futbollistit Mitreski se “këtu janë 80% ortodoksë”, dhe se populli “është bashkë me rusët”.

Postimin e Ambasadës Ruse e ka shpërndarë edhe portali Antropol, i cili më 02.03.2023 botoi titullin “Mitreski për televizionin rus: Politikanët janë tjetër çështje, populli maqedonas është bashkë me rusët”.

Mirëpo, pretendimi se në Maqedoninë e Veriut “80% janë ortodoksë” nuk është i vërtetë. Enti Shtetëror i Statistikës bëri me dije se në Regjistrimin e vitit 2021, “Sipas përkatësisë fetare, 46,14% janë deklaruar si ortodoksë, 32,17% si myslimanë (islam), 0,37% si katolikë…”.

I pabazë është edhe pretendimi i Antropolit se “populli maqedonas është me rusët” – edhe pse futbollisti nuk e përdor këtë shprehje. Në sondazhin e IRI-t të publikuar më 19.12.2022, vetëm 4% e të anketuarve kanë treguar Rusinë si vend që u ndihmon më së shumti interesave kombëtare të vendit, që është rënie prej 2% për një vit. Në pyetjen se cili duhet të jetë kursi i politikës së jashtme, vetëm 4% kanë deklaruar se ai duhet të jetë vetëm pro-rus, krahasuar me 47% që thonë se duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe Perëndimit.

Edhe pohimi i Mitreskit se “kanalet maqedonase transmetojnë filma dhe seriale ruse pa përkthim” është i pavërtetë. Ka televizione që transmetojnë filma dhe seriale ruse, por ato përkthehen dhe janë me titra, që është detyrim ligjor.

Sipas ligjit, “Programet në gjuhë të huaja ose pjesët e tyre që emetohen në programet e transmetuesve radiodifuzivë duhet të përkthehen në gjuhën maqedonase, përkatësisht në gjuhën e komunitetit që nuk është shumicë”.

Thënë shkurt, propaganda ruse e keqpërdori intervistën me futbollistin Mitreski për të përhapur të pavërteta, si dhe narrativën e njohur propagandistike “një besim, një gjuhë”. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e kësaj propagande, ndërsa mediat duhet të kontrollojnë informacionin para se ta publikojnë.

LEXO EDHE:

Back to top button