Pompeo akuzon Rusinë se po mbjell kaos në Mesdhe

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, akuzoi të martën Rusinë për vazhdimin e “kërcënimit të stabilitetit në Mesdhe ” dhe mbjelljen e “kaosit, konfliktit dhe ndarjes” në vendet përreth rajonit.

- Advertisment -

Në një deklaratë mbi “ndikimin rus në Mesdhe”, Pompeo iu përgjigj homologut të tij rus, Sergei Lavrov, i cili më herët akuzoi Shtetet e Bashkuara “për lojëra politike në rajon”.

Lavrov “përsëri i merr faktet gabim dhe përpiqet të rishkruajë historinë”, tha Pompeo, duke dënuar veprimet e Moskës në Libi, Greqi dhe Siri.

Në Libi, tha ai, SHBA-ja “mbështet formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse që mund të sigurojë vendin dhe të përmbushë nevojat ekonomike dhe humanitare të popullit libian” dhe po punon me Kombet e Bashkuara drejt këtij qëllimi.

“Rusia, nga ana tjetër, minon politikën e brendshme të Mesdheut, mbështet diktatorin brutal të Sirisë dhe nxit konfliktin e Libisë me përfaqësuesit e saj. Kush po luan lojëra këtu?”, shtoi ai në Twitter.

Kryediplomati amerikan tha se në Siri, Rusia mbështet regjimin e presidentit Bashar al-Assad, “lufta e të cilit kundër popullit të tij e ka shtuar paqëndrueshmërisë rajonale dhe zhvendosi gjysmën e popullsisë”.

Ai gjithashtu akuzoi Rusinë se po punon për të minuar përpjekjet diplomatike midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe që po lejon rusë të pasur, të lidhur me Kremlinin, të pastrojnë para përmes Qipros dhe Maltës.

“Të gjitha këto veprime tregojnë qartë se nëse dikush po luan lojëra politike dhe po përpiqet të bllokojë progresin në konfliktet rajonale, është Rusia, e cila vepron vetëm për të çuar përpara interesat e saj në dëm të të gjithë rajonit,” tha Pompeo.

LEXO EDHE:

Back to top button