Pompeo dhe Lukashenka diskutojnë në telefon, presioni opozitar vazhdon të rritet

Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara, Mike Pompeo mbajti një telefonatë me liderin e Bjellorusisë Alyaksandr Lukashenka, derisa presioni po rritet mbi udhëheqësin autoritar përpara një ultimatumi të opozitës për t’i dhënë fund mandatit të tij ose do të përballet me protesta dhe greva në mbarë vendin.
Departamenti i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë më 24 tetor se Pompeo kërkoi lirimin e një strategu politik bjelloruso-amerikan, ndalimin e të cilit qeveria e SHBA-së e ka quajtur “të padrejtë”.

“Sekretari bëri thirrje për lirimin e plotë dhe largimin e menjëhershëm nga Bjellorusia të shtetasit amerikan të ndaluar padrejtësisht, Vitali Shkliarov, dhe rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për aspiratat demokratike të popullit të Bjellorusisë,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Shkliarov, i cili punoi në fushatat e ish-presidentit Barack Obama dhe Senatorit Bernie Sanders, u arrestua në fund të korrikut ndërsa ishte duke vizituar familjen e tij në Bjellorusi.

Ai u lirua me kusht në pritje të gjyqit për ato që konsiderohen gjerësisht si akuza politike të trilluara.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve ku Lukashenka sërish është udhëheqësi i ligjshëm i ish-Republikës Sovjetike./REL/

LEXO EDHE:

Back to top button