Pompeo viziton Turqinë, inkurajon liritë fetare

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo vizitoi Turqinë si pjesë e një përpjekjeje që synon avacimin e lirive fetare si dhe luftën ndaj persekutimit fetar, përparësi kryesore këto të administratës Trump. Por ndalesa e tij në Stamboll sot dhe takimet me disa prej udhëheqësve fetarë atje u pritën me protesta.

- Advertisment -

Protestat po zhvilloheshin ndërsa zoti Pompeo po takohej me Patriarkun Ekumenik të Konstandinopojës Bartholomeu si dhe nuncin apostolik të Turqisë Kryepeshkopin Paul Russell në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit.

“I bëj thirrje nga këtu Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo, se ky nuk është një vend Bizantin. Ju ndodheni në Republikën e Turqisë. Kjo nuk është Konstandinopoja. Ky është Stambolli. Ligjet tuaja kolonialiste e reformuese nuk zbatohen këtu”, tha Yildirim Gencer, President i bashkimit rinor të Turqisë.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se ndalesa e zotit Pompeo në Turqi u përqendrua tek avacimi i lirive fetare dhe lufta ndaj persekutimit fetar, përparësi këto kryesore për administratën Trump.

Axhenda e zotit Pompeo në Turqi, pjesë e një turneu 10-ditor në Evropë dhe Lindjen e Mesme, nuk përfshin takime me zyrtarë të qeverisë. Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit kanë thënë se mungesa e takimeve zyrtare në Turqi ishte për shkak të problemeve me axhendën gjatë kësaj ndalese të shkurtër. Ata thanë se ishte kërkuar të kryeshin takime, por zyrtarët turq nuk ishin në gjendje të vinin në Stamboll nga kryeqyteti i vendit Ankaraja gjatë kohës që zoti Pompeo do të ishte atje.

Zyrtarët amerikanë theksuan se zoti Pompeo dhe homologu i tij turk planifikojnë të takohen në fillim të muajit dhjetorit gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Vizita e zotit Pompeo në Turqi pason ndalesën në Francë ku ai u takua me presidentin e vendit Emmanuel Macron. Zoti Pompeo pritet gjithashtu të vizitojë Gjeorgjinë, Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Arabinë Saudite.

LEXO EDHE:

Back to top button