Presheva ndot ajrin në Kumanovë

Presheva ndot ajrin në Kumanovë

Gazetar: Adnan Qaili

Kumanovës nuk i hiqet ndotja e ajrit as verës. Tani që ngritja temperaturave ka fikur sobat e shtëpive dhe çmimi lartë i karburanteve ka rralluar lëvizjet me automjete, ndotja e ajrit dyshohet të vjen nga shteti fqinjë, shkruan Alsat.

Qytetarët thonë se kundërmon erë e keqe natën dhe në mëngjes, sidomos kur frynë era nga veriu që aludon nga rrethina e qytetit Preshevës. Ankesa të shumta janë denoncuar në inspektorate.

“Banorët e Kumanovës ka disa javë që janë duke thithur ajrin e ndotur që dyshohet se vjen nga një fabrikë nga Shteti fqinj i Serbisë. Ditëve të fundit janë shfaqur simptomat më të rënda te personat që janë më të ndjeshëm me shëndet dhe ata të moshuar”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

“Me të thënë të drejtën unë diçka ndiej, sytë diçka më djegin ngaqë ajri nuk është aq i pastër. Kur ndihet më tepër ajo aromë e keqe? Kur frynë era, por më tepër ndihet kur është qetë dhe s’ka lëvizje të ajrit”, thotë një qytetar.

“Normalisht se është e dëmshme, gjithë ato gazra që krijojnë erë të keqe për organizmin e njerëzve që kanë probleme me shëndetin ajo i përkeqëson dhe ju shkakton komplikime të tjera shëndetësore”, shprehet një qytetar tjetër.

Jo zyrtarisht flitet se matanë kufirit në fshatin Çukarkë të Preshevës një shkritore e gëlqeres djeg goma dhe materie të tjera ndotëse pa respektuar asnjë standard ekologjik.

Nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor thanë se kanë bërë disa inspektime në pikat e dyshimta të rajonit verior, por në asnjërën nga to nuk kanë detektuar ndotje.

Komunikimet ndërshtetërore për dhjetëra ditë janë zhvilluar vetëm në mënyrë joformale me Sektorin për mbikëqyrje dhe parandalim në Ministrinë e Mjedisit të Republikës së Serbisë. Të hënën u zyrtarizuan.

“Në bazë të shkresës zyrtare të dërguar më 13 qershor, Inspektorati ynë është njoftuar se është duke u zhvilluar një procedurë inspektuese e institucioneve të Serbisë në Komunën e Preshevës te personat e caktuar juridik dhe pas përfundimit të saj, informatat zyrtare do t’i përcillen ISHMJ, pas së cilës do të njoftohet opinioni. Letra i është përcjellë Ministrisë, Drejtorisë doganore dhe Komunës së Kumanovës”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor.

Konteste ekologjike ndërshtetërore njeh historia, të cilat janë zgjidhur ose me marrëveshje dypalëshe ose përmes proceseve gjyqësore ndërkombëtare. Aktualisht, ekziston vullneti i palës serbe që të para-ndalohet kjo ndotje që dyshohet se vjen nga një shkritore e gëlqeres në fshatin Çukarkë të Preshevës./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button