Presidenti amerikan refuzon propozimin e Iranit për armëpushim

" "

Presidenti amerikan Donald Tramp ka hedhur poshtë propozimin e Iranit për një armëpushim shtatëditor dhe u ka thënë bashkëpunëtorëve të tij se pret të rifillojë bombardimet ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit. Propozimi i Teheranit parashikonte ndërprerjen e luftimeve në rajon dhe rihapjen brenda shtatë ditësh të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin botëror të naftës dhe gazit. Plani iu përcoll Uashingtonit përmes ndërmjetësve nga Katari. Në këmbim, Irani kërkonte që Shtetet e Bashkuara të hiqnin bllokadën detare ndaj porteve iraniane, të lehtësonin sanksionet ndaj eksporteve të naftës dhe të zhbllokonin asetet iraniane të ngrira. Plani parashikonte gjithashtu ndërprerjen e luftimeve në fronte të tjera të rajonit, përfshirë Libanin. Pas përfundimit të periudhës shtatëditore, Uashingtoni dhe Teherani do të nisnin negociata më të gjera, përfshirë për programin bërthamor iranian. Por sipas “Wall Street Journal”, Tramp mbetet skeptik se Teherani do të pranonte kërkesat amerikane për programin e tij bërthamor. Sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio ka theksuar se ideja që sponsori kryesor i terrorizmit në botë të ketë armë bërthamore është e papranueshme për gjithë botën.

“Për sa kohë që ata qeverisen nga njerëzit që janë në pushtet tani, kjo përbën një rrezik të papranueshëm për botën. Nëse ajo që duan është energjia bërthamore, ka dhjetëra vende në botë që kanë energji bërthamore. Edhe ne, për shembull, po lidhim marrëveshje për reaktorë të vegjël modularë me vende në të gjithë planetin. Por kjo nuk është ajo që ata duan. Ata duan aftësinë për të pasur objektet e tyre të pasurimit të uraniumit, dhe ne e dimë se në mënyrë të përsëritur ata kanë eksploruar një program për armë dhe armatosjen e teknologjisë bërthamore. Ideja që sponsori kryesor i terrorizmit në botë të ketë armë bërthamore është thjesht e papranueshme, jo vetëm për ne, por për botën”, deklaroi Marko Rubio – Sekretar amerikan i Shtetit.

Propozimi iranian erdhi në një kohë kur negociatorët amerikanë po përpiqeshin të rigjallëronin diplomacinë me Iranin lidhur me programin bërthamor, përmes bisedimeve të zhvilluara në kuadër të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button