Presidenti Pendarovski me kritika për korrupsionin, politikanët dhe gjykatësit

Presidenti Pendarovski me kritika për korrupsionin, politikanët dhe gjykatësit

Kur besimi në institucione është në nivel të ulët, demokracia është në rrezik serioz, tha para deputetëve nga foltorja e Kuvendit, Presidenti Stevo Pendarovski gjatë fjalimit të tij të fundvitit. Ai dërgoi porosi se shteti duhet të vendosë kriminelët pas hekurave në burgje të llojit të mbyllur dhe të ketë si qëllim kthimin e parave të vjedhura. Nuk ka drejtësi nëse pas hekurave nuk shohim politikanë aktual, gjykatës e prokurorë, tha Pendarovski.

“Të gjitha përpjekjet tona do të bien në ujë nëse organet kompetente gjyqësore dakordohet me personat për të cilët, e di i gjithë opinion, se me para nga populli i kanë siguruar edhe fëmijët dhe nipërit e tyre të palindur. Tezë që shumë prej nesh e përsërisin me vite është se nuk ka drejtësi nëse nuk ka politikanë aktualë në burg për korrupsion, por, drejtësi nuk do të ketë edhe deri sa janë në liri gjykatësit dhe prokurorët të cilët marrin vendime skandaloze pas të cilave ndoshta ekzistojnë motive korruptuese”, tha Stevo Pendarovski, President.

Korrupsioni, tha Presidenti, është arsyeja kyçe për reformat e gjata disa dekadëshe dhe të papërfunduara, dhe bashkë me të edhe klientelizmi politik. I pari i shtetit tha se mungesa e sundimit të së drejtës vazhdon të ndikojë në demografinë dhe ky është rreziku më i madh i sigurisë kombëtare.

“Ne mund ta numërojmë dhe shtojmë diasporën dhe të gënjejmë veten se jemi më shumë, por e vërteta e ashpër është se projektimet e Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2050, nëse mbahen këto trende, në vend do të kemi vetëm rreth një milion banorë prej dy milionëve saç ishim kur e ndërtuam shtetin”, u shpreh Stevo Pendarovski, President.

Presidenti në fjalimin e tij foli edhe për ndryshimet kushtetuese. Ai tha se euro-integrimi kalon interesin e çdo pushteti.

“Neve na nevojitet dëshpërimisht një procedurë e qartë dhe e pastër juridike dhe politike për ndryshimin e Kushtetutës, siç i ka hije një demokracie evropiane. Askush nuk duhet të ushtrojë trysni, as të kushtëzojë që të votojë kundër vullnetit të vet, por, njëkohësisht, të gjithë deputetët duhet të kenë parasysh dy gjëra: së pari vetë përmbajtja e propozimit konkret, vendosja e bullgarëve dhe pjesëve të tjera të popujve në Kushtetutë, nuk e cenon në asnjë mënyrë identitetin maqedonas, dhe së dyti, ata që sot janë kundër, nëse besojnë me të vërtetë se BE-ja është qëllimi ynë strategjik, konstanta jonë strategjike që nga vitit 1991 e deri më sot dhe nëse sot janë kundër, si do të votojnë për këtë ndryshim kushtetues kur të jenë në pushtet?”, theksoi Stevo Pendarovski, President.

Pendarovski tha se askush nuk mund të garantojë se në procesin e negociatave nuk do të ketë kërkesa të tjera gjatë negociatave. Ai kërkoi dhe përfshirjen e ekspertëve dhe të opozitës në këtë proces.

“Bullgaria dhe Rumania janë anëtare të Bashkimit pesëmbëdhjetë vjet, kurse para pak kohe janë bllokuar për të hyrë në Zonën e Shengenit. Nëse dy anëtare të Bashkimit janë bllokuar për të hyrë në një nga projektet më të rëndësishme të hapësirës unike evropiane, nënkuptohet se askush nuk mund t’i japë garanci vendit kandidat, i cili sapo i ka filluar negociata të cilat nuk janë të njëtrajtshme. Pushteti duhet të bëjë përpjekje gjatë gjithë procesit të negociatave në ekipe të marrin pjesë edhe ekspertë të propozuar nga organizatat qytetare, por, edhe nga opozita”, u shpreh Stevo Pendarovski, President.

Për të luftuar dezinformatat dhe manipulimin e qytetarëve, Presidenti Pendarovski theksoi nevojën e edukimit mediatik që në shkollimin fillor dhe të mesëm. Ai tha se politikanët e kanë për obligim të mos i lënë qytetarët pa shpresë për një të ardhme më të mirë. Gjatë fjalimit të Presidentit në Kuvend nuk ishin të pranishëm as dy ish Presidentët dhe as kryetari i opozitës maqedonase, Mickoski, por ishte kori diplomatik dhe krerët e disa institucioneve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button