Presioni i SHBA-së ndaj Bullgarisë, Naumovski: Uashingtonit i duhet një Evropë e bashkuar

Presioni i SHBA-së ndaj Bullgarisë, Naumovski: Uashingtonit i duhet një Evropë e bashkuar

Gazetar: Lluka Andreev

Uashingtoni ka nevojë për një Evropë të bashkuar, ka thënë ish ambasadori në SHBA, Vasko Naumovski, duke komentuar deklaratën e Departamentit të shtetit për përfshirjen e diplomacisë amerikane në dialogun Shkup-Sofje, shkruan Alsat.

Sipas Naumovskit, presioni ndaj Bullgarisë është intensifikuar nga Uashingtoni, sepse Parisi nuk e ka shfrytëzuar kapacitetin e tij të plotë gjatë presidencës me BE-në, për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Francë.

“Presioni që po ndjen Bullgaria nuk fshihet më, as nga zyrtarët më të lartë bullgarë dhe ky mesazh i drejtpërdrejtë që patëm ditët e fundit është vetëm konfirmim se Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara për fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe për ta vazhduar procesin e bashkimit të Evropës, duke ditur se një Evropë e bashkuar, e qëndrueshme dhe e fortë është në përputhje të plotë me interesat nacionale amerikane dhe politikën e tyre të jashtme”, tha Vasko Naumovski- ish ambasador në SHBA.

Naumovski thotë se historikisht, pas Luftës së Dytë Botërore, të gjitha nismat për bashkimin dhe stabilizimin e Evropës kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe përpjekjet në këtë drejtim janë shtuar për shkak të marrëdhënieve me Rusinë. Andaj, shton ai, inkurajimi për Bullgarinë do të vazhdojë për ta ulur bllokadën e procesit të integrimit.

“Shtetet e Bashkuara janë udhëheqëse të Aleancës së NATO-s, janë partner tradicional i Bullgarisë dhe besoj se në prapaskenë ka diskutime dhe mënyra të ndryshme për inkurajim, të cilat mund të japin fryte në kohën e duhur”, deklaroi Vasko Naumovski- ish ambasador në SHBA.

Sipas tij, së shpejti mund të pritet ndonjë rezultat pozitiv, për shkak të hapave pozitiv dypalësh muajve të kaluar./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button