Pritet diskutim publik për modelin zgjedhor
Pritet diskutim publik për modelin zgjedhor
Gazetare: Fatlume Dervishi
Nuk ka akoma një datë dhe një orë për diskutimin publik për ndryshimin eventual të modelit zgjedhor. Ky diskutim do të organizohet në kuadër të aktiviteteve të Kuvendi, pasi propozimi i partive më të vogla për një njësi zgjedhore kaloi filtrin e parë në komisionin amë, shkruan Alsat.
Politikanët, ekspertët dhe organizatat joqeveritare do të japin mendimin e tyre. Politologu Marko Troshanovski vlerëson se modeli zgjedhor me një njësi, është i duhuri për vendin.
“E ardhmja e këtij vendi është multietnike. Kjo nënkupton që modeli me një njësi zgjedhore është mënyra e vetme me të cilën mund të ruhet multietniciteti. Modeli aktual nxit dhe është në funksion të partive njëetnike, gjë që nuk është nuk ka lidhje me multietnicitetin. Ky model në të ardhmen vetëm do t’i zmadhojë antagonizmat në baza etnike në shoqërinë tonë dhe na çon drejt përplasjeve të reja”, tha Marko Troshanovski, politolog.
Propozimi aktual në procedurë parlamentare parashikon një njësi zgjedhore por pa prag. Troshanovski thotë se pragu është i nevojshëm, kurse niveli i tij duhet të përcaktohet me marrëveshje.
“Pragu zgjedhor, të paktën, siguron që në Kuvend nuk do të hynë elemente të ndryshme politike që kanë substanca radikale në mesin e tyre që mund t’i bllokojnë institucionet ose t’i përkeqësojnë raportet”, theksoi Troshanovski.
Megjithatë, Troshanovski kërkon që ndryshimi i modelit të jetë më i gjerë.
“Listat e hapura, të paktën pjesërisht, do të mundësojë të mos ketë kuadro servil partiak të cilët në pjesën më të madhe të rasteve janë jokompetentë”, u shpreh Troshanovski.
Propozimin për një njësi të Lidhjes Demokratike, Partisë Liberal Demokrate, VMRO-Popullore dhe të tjera e mbështet vetëm VMRO-DPMNE-ja. LSDM-ja dhe BDI-ja kërkojnë konsensus por kjo e fundit vlerëson se modeli me gjashtë njësi është i duhuri. Aleanca për Shqiptarët kërkon tetë njësi.
Maqedonia e Veriut ka përvetësuar modelin zgjedhor proporcional me gjashtë njësi që në vitin 2002. Të gjitha tentimet e mëhershme për ndryshimin e tij kanë dështuar. / Alsat.mk








