Problemi me ndotjen e ajrit po rëndohet, politika merret me sulme verbale

Problemi me ndotjen e ajrit po rëndohet, politika merret me sulme verbale

Gazetare: Evi Shkopi

Tashmë disa ditë ndotja në Shkup është alarmante. Qendra, Aerodromi, Lisiçe, Rektorati kanë pasur përqendrim më të madh të grimcave PM10/m3. Ndotje kishte edhe sot, por më e ulët në krahasim me ditët e fundit. Ajri i ndotur është bërë një tjetër arsye që partitë politike të dalin me akuza e kundër akuza, ndërkohë që zgjidhja për këtë problem humbet diku mes këtyre sulmeve verbale. Grupi i këshilltarëve të LSDM-së në Qytetin e Shkupit kërkoi nga kryetari I Këshillit, Trajko Sllaveski që të thërrasë sa më shpejt seancë urgjente ku do të diskutohet gjendja alarmante e ndotjes së ajrit dhe masat që duhet të ndërmerren.

“Shtim i menjëhershëm i numrit të autobusëve në të gjitha linjat e transportit publik. Transport falas për të gjithë qytetarët në Shkup. Ridestimin i menjëhershëm i parave për t’u përballur me ndotjen e ajrit. Ndihmë financiare për shkollat për adaptim të sistemit për ngrohje në forma ekologjike, përkatësisht ndryshim i kaldajave në sistemin për ngrohje. Përgatitje e një plani për pastrimin e të gjitha deponive në Shkup. Pastrim dhe larje me cisterna të rrugëve. Veprim i pakushtëzuar dhe intensiv i inspektorëve në kryerjen e detyrës së tyre. 02:10 VMRO-DPMNE në vend se të shtyjë inat duhet të kyçet në këtë iniciativë”, tha Gordan Shutarov – LSDM.

Por nga VMRO-DPMNE përmes një komunikate akuzojnë LSDM-në se 7 vite në pushtet nuk ka bërë asgjë për të ulur ndotjen e ajrit.

“LSD të marrë masa për uljen e ndotjes dhe në takimet e fshehta me Arsovskën, Kovaçevski kërkojë reagim nga qyteti. 7 vite LSD ishte në pushtet dhe nuk është marrë asnjë masë e vetme për uljen e ndotjes. Nga 20 miliardë që shpenzohen përmes buxheteve, asnjë euro nuk është investuar për ajër më të pastër. LSD-ja para ardhjes në pushtet kishte premtimin kryesor për uljen e ndotjes, 7 vite më vonë ajri është edhe më i ndotur”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ditët e para të këtij viti kryeqyteti i ngjante skenave horror, pasi mjegulla e shtuar dhe ndotja përpinë qytetin. Nga Vodno nuk shihej asgjë, por era e rëndë që ngjasonte me djegien e materialeve plastike ndjehej gjithkund./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button