Profesorët dhe administrata e Universitetit “Shën Kirili”, në protestë

Profesorët dhe administrata e Universitetit “Shën Kirili”, në protestë

Gazetare: Melihate Rustemi

Profesorët e Universitetit, “Shën Kirili dhe Metodij” ngritën zërin për rritje pagash. Përmes një proteste të qetë, Lidhja e sindikatave të USHKM-së tha se në historinë e këtij universiteti, gjendja e të punësuarve kurrë nuk ka qenë më e mjerueshme se sot, shkruan Alsat.

Një doktor shkencash merr pagë më të ulët se paga mesatare në vend.

“Durimit i erdhi fundi, ne patjetër të luftojmë për të drejtat tona, ne duhet të luftojmë për paga dinjitoze, nëse këtë nuk e bëjmë, askush tjetër këtë nuk do ta bëj për ne. Ne nuk do të heshtim më. Autonomi pa paga dinjitoze është iluzion. Mjaft ishte. Sot, një docent, doktor shkencash ka pagë më të ulët se paga mesatare në vend”, tha Angel Ristov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të USHKM-së.

“Më shumë se 20 vjet, asnjë Qeveri nuk e kuptoi se investimi në arsimin e lartë është kapital, njerëzore dhe humane, si për shtetin ashtu edhe për gjithë popullatën. Mjaft ishte nga premtimet boshe, është koha t’u tregojmë se nuk frikohemi dhe se pa ne janë askush dhe asnjë”, u shpreh Zoran Kitkanj, profesor.

Të revoltuar me gjendjen e krijuar shprehen edhe administrata universitare. Sipas tyre, punët më të rëndësishme realizohen nga ana e tyre ndërsa paguhen 18 mijë denarë.

“Financimi i kuadrit jo-mësimor arrin prej 18 deri në 25 mijë denarë. Më thoni, si është e mundur që kuadri jo-mësimor me arsim të lartë, i punësuar  në institucion të lartë arsimor të ketë kaq të ardhura mujore. Kush mund të mbijetoj me kaq në vendin tonë. Nuk është bërë nivelizimi i pagave bazuar me rritjen e pagës minimale”, u shpreh Gabriella Anastasoska, kuadër jo-mësimor.

Protestën e mbështeti edhe rektori, Nikolla Jankullovski. Tha se në të gjithë institucionet përkatëse është dorëzuar shkresë ku theksohet se pagat e punonjësve në USHKM janë të ulëta dhe realisht duhet të ketë rritje.

“Vlerësoj se është momenti të merren masa që të bëhet më shumë për pagat e të punësuarve në USHKM. Arsimi i lartë është shtylla kryesore e zhvillimit shoqëror, kulturor e teknologjik. Pa arsim të lartë asnjë zhvillim në vend nuk mund të vazhdoj”, tha Nikolla Jankullovski, rektor i USHKM.

Sipas Sindikatës së USHKM-së, në këtë universitet janë të punësuar mbi e 2400 persona. Ndërkohë, në arsimin e lartë numri i përgjithshëm i të punësuarve arrin mbi 4500. Gjithashtu, nga sindikata kërkojnë nënshkrimin e menjëhershëm të Marrëveshjes Kolektive, të cilën e kanë negociuar prej më shumë se një viti. Nëse këto kërkesa nuk pranohen, protesta e radhës do të mbahet para Qeverisë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button