Prokuroria dhe policia shtrëngojnë masat kundër shkelësve të rregullave në komunikacion
Prokuroria dhe policia shtrëngojnë masat kundër shkelësve të rregullave në komunikacion

Gazetar: Suad Bajrami
Për shkak të shpeshtimit të shkeljeve në komunikacion, Prokuroria Publike e Shkupit në një mbledhje koordinuese u ka dhënë udhëzime zyrtarëve policorë të Sektorit të Shkupit, që të ndërmarrin veprime urgjente kundër shkelësve të rregullave të trafikut, me të cilat rrezikohet siguria e qytetarëve, shkruan Alsat.
“Udhëzimet kërkojnë veprim të obliguar urgjent në situata kur gjatë aksidentit te shoferi apo shoferët është konstatuar drejtimi i makinës pa leje, kalim në semafor të kuq, shpejtësi shumë më e madhe se e lejuara, gjendje të dehur, vozitje në drejtim të kundërt, por edhe kalim në dy vija të plota. Procedura urgjente do të udhëhiqet edhe në situatë kur shoferi e ka lëshuar vendin e ngjarjes së aksidentit dhe nuk ka ofruar ndihmë për këmbësorët ose persona të tjerë”, thonë nga Prokuroria e Shkupit.
Veprimi urgjent i zyrtarëve policorë në këso situata, sipas Prokurorisë do t’i mundësojë prokurorit publik të kryejë vlerësim nëse dhe në çfarë mase duhet ta sigurojë kryerësin gjatë procedurës penale.
Për shkelësin, në Prokurori duhet zyrtarët policorë të dorëzojnë evidencë të shkeljeve kundërvajtëse dhe penale, por edhe gjobave. Si rrethanë rënduese, për shkelësit do të merret parasysh edhe fakti nëse për të njëjtën vepër më shumë herë janë dënuar.
“Kallëzimet penale duhet të përmbajnë sa më shumë të dhëna precize, të detajuara dhe të sakta për dëshmitarët, të paraqiturit dhe të dëmtuarit me numra telefoni dhe adresa nga letërnjoftimet, por edhe adresa të banimit momental. Me kujdes të veçantë duhet të sigurohen prova dhe të fotodokumentohen shenjat e komunikacionet të cilat vlejnë në lokacionin ku ka ndodhur aksidenti”, thonë tutje nga Prokuroria e Shkupit.
Sipas statistikave të MPB-së, vitin e kaluar në viza të bardha jetën e kanë humbur 24 këmbësorë, ndërsa shifrat tregojnë se nga viti 2010 nëpër rrugët e Maqedonisë kanë humbur jetën nga 116 deri në 198 persona.
Nevoja për rregulla më të rrepta të qarkullimit u shfaq veçanërisht me rastin e fundit kur 22-vjeçarja Frosina Kullakova u përplas nga një 20-vjeçar pa leje dhe nën efektin e alkoolit, teksa po kalonte në bulevardin “Aradhat Partizane” në vendkalim për këmbësorë dhe në dritë të gjelbër./ Alsat.mk