Prokuroria ka nisur hetimet dhe kërkon paraburgimin për dy personat që kryen grabitjen të premten afër stadiumit të qytetit
Prokuroria ka nisur hetimet dhe kërkon paraburgimin për dy personat që kryen grabitjen të premten afër stadiumit të qytetit

Gazetar: Avni Tahiri
Prokuroria Publike nisi hetimin ndaj dy personave të moshës 27 dhe 21-vjeçare, të cilët dyshohen për vjedhje në një biznes në parkun e Shkupit. Sipas prokurorisë, dy bashkautorët kanë hyrë në dyqanin e teknikës së bardhë dhe kanë kërcënuar të gjithë klientët brenda me armë dhe eksploziv, ndërsa njëri prej tyre ka bllokuar derën dhe i ka penguar klientët të dalin jashtë. Në dyqan në ato momente ka pasur edhe 3 fëmijë.
“Më datë 29 nëntor, dy të dyshuarit kanë ardhur me trotinet në dyqanin e teknikës së bardhë pranë stadiumit të qytetit. Ata kanë qenë të maskuar me maska plastike, shalle dhe kapuç në kokë dhe të armatosur me pistoleta, ndërsa një prej tyre ka mbajtur gjithashtu një mjet shpërthyes të improvizuar në formë dinamiti. I dyshuari tjetër ka hyrë pas banakut nga ku ka marrë paratë nga arka, më pas duke kërcënuar me armë ka kërkuar nga punonjësit të hapin kasafortën nga ku ka marrë një arkë metalike të kuqe me para dhe kuponë me vlerë”, thonë nga Prokuroria Publike Shkup.
Sipas prokurorisë, dy autorët e vjedhjes pas kërcënimeve për jetë të personave në dyqan, kanë marrë para në vlerë të përgjithshme prej 556.146 denarë. Para se të largohen të pranishmëve brenda në dyqan iu kanë tërhequr vërejtjen që të mos lajmërojnë policinë dhe më pas janë larguar nga dyqani. Në afërsi të dyqanit, dy autorët e vjedhjes u kapën nga policia dhe janë vënë në pranga. Të dyshuarve iu caktua masa e paraburgim, për shkak të rrezikut të arratisjes së autorëve apo ndikimit të dëshmitarëve./Alsat.mk